Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, paratë që sjellin emigrantët kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies ekonomike të familjeve të tyre në atdhe. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, emigrantët sollën 531 milionë euro për të afërmit e tyre në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Megjithatë, një përqindje e këtyre parave mbahen si komision nga institucionet dhe kanalet e tjera të transfertave. Por sa i kushtojnë konkretisht remitancat një emigranti?
Duke qenë se në Itali dhe Greqi jetojnë pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, edhe remitancat dërgohen më tepër nga këto dy shtete. Pavarësisht trendit në rritje të parave që emigrantët sjellin nga jashtë, kostot e dërgimit të tyre mbeten të larta. Statistikat e Bankës Botërore tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, për çdo 345 euro të sjellë nga Italia në Shqipëri, 5.89% e kësaj shume është mbajtur në tarifa, komisione dhe kursi i këmbimit. Pra, për çdo 345€ që një emigrant shqiptar në Itali ka dërguar në Shqipëri gjatë periudhës janar-mars 2025, rreth 20€ nuk arritën te familja, por humbën nga kursi i këmbimit, tarifat dhe komisionet.
Në 2023, kostoja mesatare e dërgimit të 200 dollarëve nga Italia dhe Greqia në Shqipëri, ishte 5.6%.
Remitancat janë një burim i rëndësishëm i financimit nga jashtë. Referuar një raporti të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, remitancat tejkaluan 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2023. Kjo thekson rëndësinë e tyre kritike për ekonominë.
Gjatë këtij muaji, Banka e Shqipërisë vendosi të ulte me 10 herë komisionet dhe përqindjet e aplikueshme, duke ofruar kushte ndjeshëm më të favorshme për pagesat në euro brenda vendit, por duke krijuar edhe trajektoren e komisioneve të aplikuara në transfertat ndërkufitare SEPA.
Duke nisur nga 7 tetori, shqiptarët do të mund të kryejnë pagesa ndërkufitare në euro me SEPA. Kjo e fundit do të eleminojë nevojën e kryerjes së transfertave të parave përmes institucioneve financiare të transfertave, proces më i kushtueshëm dhe më i ngadaltë. Tashmë, tarifat e transfertave do të jenë 5 herë më të ulëta në krahasim me transfertat e kryera përmes institucioneve financiare tradicionale./Scantv