Nga viti 2008 deri në 2024 rreth 1 milionë shqiptare kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.
Shqiptarët me leje qëndrimi të rregullt përbëjnë rreth 41% të popullsie që jeton ende këtu. Por totali i shqiptarëve jashtë vendit është më i lartë po të përfshihen emigrantët që jetojnë në Britani, USA, Kanada dhe në vende të tjera jashtë BE-së.
Duke analizuar të dhënat e Eurostat mbi lejet e qëndrimit për herë të parë dhënë shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian shihet një rritje e vazhdueshme e emigracionit që ka ardhur duke u përshpejtuar vitet e fundit. Të dhënat tregojnë se në vitin 2008 ishin regjistruar 97,780 mijë leje qëndrimi për herë të parë, ndërsa deri në vitin 2014 stoku i lejeve arriti rreth 389 mijë.
Pas vitit 2015 ritmi i rritjes u përshpejtua ndjeshëm. Në vitin 2018 totali kaloi mbi 600 mijë, ndërsa në vitin 2021 kishte shkuar në mbi 765 mijë leje. Trendi vijoi edhe më fuqishëm në tre vitet e fundit, pas pandemisë. Vetëm nga 2021 deri në 2024, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shqiptarët në BE u shtua me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në pothuajse 1 milion (999,138) në fund të vitit 2024.
Ky ritëm tregon për një presion të vazhdueshëm emigrimi nga Shqipëria drejt vendeve europiane, pavarësisht zhvillimeve ekonomike dhe sociale të brendshme.
Rritja konstante nga viti në vit tregon për një prirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, ku çdo vit mijëra qytetarë kanë kërkuar mundësi pune dhe jetese në vendet e BE-së.