Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje ashpër ndaj vendimit të gjyqtarit Marko Boshku, i cili ka urdhëruar rikthimin në detyrë të ish-drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Vlorë. Ky i fundit ishte shkarkuar për ndërtim pa leje dhe mashtrim me dokumente. Kryeministri paralajmëron se çdo gjyqtar që jep vendime të paligjshme në dëm të interesit publik do të përballet me pasojat, si nga institucionet ligjzbatuese, ashtu edhe nga opinioni publik.
Rama theksoi se ky rast është “i pabesueshëm” dhe se gjyqtari Boshku ka kthyer në detyrë një person që ka shkelur brutalisht ligjin dhe është kapur në flagrancë duke mashtruar. Sipas kryeministrit, ish-drejtori i AMP-së Vlorë jo vetëm që kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil, por edhe kishte mashtruar me shkrim duke pretenduar legalizimin e tij, duke gënjyer se ndërtimi ishte bërë në vitin 2018.
“Fotot satelitore, megjithatë, kanë dëshmuar se ndërtimi është kryer pas vitit 2020, duke e bërë të papërshtatshëm për legalizim.”, shkruan Rama nw rrjetet sociale.
Kryeministri shtoi se ky rast tregon një dukuri shqetësuese ku drejtësia, nëpërmjet gjyqtarëve si Boshku, duket se mbron ata që shkelin ligjin, ndërkohë që shteti kërkon ndëshkimin e tyre.
Ai njoftoi se Ministria e Drejtësisë do ta përcjellë këtë veprim të gjyqtarit Boshku pranë organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD), ndërsa u shpreh shpresë që drejtësia të veprojë seriozisht me personin në fjalë.
Duke përdorur këtë rast, Rama dërgoi një mesazh të qartë për gjyqtarët: “kushdo që tall ligjin dhe interesat e shtetit, duke përdorur pavarësinë e drejtësisë si justifikim për vendime haptazi të paligjshme dhe në dëm të publikut, do të përballet me pasoja jo vetëm nga organet e drejtësisë, por edhe nga opinioni publik.”
