Autoritetet në të gjithë Egjiptin po kërkojnë një byzylyk 3.000-vjeçar, i cili është raportuar i zhdukur nga Muzeu i Kajros.
Byzylyku i rrallë prej ari, daton që nga mbretërimi i mbretit Amenemope, një faraon i Dinastisë së 21-të të Egjiptit të lashtë, i cili sundoi nga viti 993 deri në vitin 984 para Krishtit.
Ministria e antikiteteve tha se kishte marrë masa të menjëhershme pasi byzylyku u zhduk nga laboratori i restaurimit të Muzeut Egjiptian dhe se rasti i ishte referuar policisë.
Një imazh i byzylykut është shpërndarë në të gjitha aeroportet, portet detare dhe pikat kufitare tokësore egjiptiane si një “hap paraprak për të parandaluar përpjekjet e kontrabandës”, shtoi ministria.
Ministria tha se kishte vonuar qëllimisht njoftimin e zhdukjes së byzylykut “për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për përparimin e hetimeve”, por nuk përmendi se kur është parë bizhuteria për herë të fundit.
Gazeta egjiptiane, Al-Misri al-Yawm, raportoi se zhdukja u zbulua ditët e fundit, ndërsa stafi i muzeut po përgatitej të transportonte dhjetëra objekte në Romë për një ekspozitë që do të hapet muajin e ardhshëm.
Muzeu Egjiptian në Kajro është muzeu arkeologjik më i vjetër në Lindjen e Mesme. Ai mban më shumë se 170,000 objekte, përfshirë maskën funerale prej druri të praruar të Amenemopes.
Zhdukja e byzylykut vjen gjashtë javë para hapjes së Muzeut të Madh Egjiptian, ku janë transferuar dhe do të ekspozohen thesaret e famshme botërore të varrit të mbretit Tutankhamun.