Policia e Shtetit apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave për “mësime falas” dhe investime me fitim të shpejtë në kriptovaluta.
Skemat mashtruese, përfshirë “XUEX” dhe platforma të ngjashme, po ndiqen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe autorët mund të përballen me ligjin. Qytetarët e prekur mund të denoncojnë rastet në strukturat e Policisë së Shtetit.
Njoftimi i policisë:
Apel për kujdes, për të mos rënë pre e mashtrimeve online.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të mos rënë pre e mashtrimeve online, të cilat prezantohen si mundësi investimi me fitim të shpejtë, kryesisht në formën e skemave piramidale dhe investimeve në kriptomonedha.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, po vijojnë hetimet e thelluara në kuadër të operacionit “XUEX”, për zbardhjen e plotë dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të autorëve dhe agjentëve që kanë organizuar skema mashtruese të firmave piramidale online.
Gjithashtu, po vijon ndjekja dhe dokumentimi i lëvizjeve të kriptovalutave të përdorura në këto aktivitete kriminale.
Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe goditjes së këtyre skemave mashtruese, grupet kriminale po përpiqen të përdorin forma të reja mashtrimi online për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Në këtë kontekst, është konstatuar se në platforma komunikimi si “Viber”, “Telegram” dhe të ngjashme, po qarkullojnë grupe që ofrojnë “mësime falas” mbi funksionimin e kriptomonedhave. Qëllimi i tyre i vërtetë është të fitojnë besimin e qytetarëve dhe më pas t’i nxitin ata të investojnë në platforma mashtruese.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë humbur para, duke investuar në platforma si “Xuex”, “Txex” apo të tjera të ngjashme, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik në çdo drejtori vendore të Policisë, për të denoncuar rastet.
Denoncimet tuaja janë thelbësore për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve dhe për mbrojtjen e qytetarëve të tjerë, që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të çdo forme tjetër mashtrimi online.