Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka reflektuar mbi humbjen 2-0 të skuadrës së tij ndaj Manchester Cityt në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve 2025/26.
Ekipi i Contes mbeti me dhjetë lojtarë në fillim të ndeshjes, pasi kapiteni Giovanni Di Lorenzo u përjashtua me të kuq në minutën e 21-të nga gjyqtari Felix Zwayer.
Megjithatë, trajneri italian është i bindur në suksesin e ekipit të tij këtë sezon, pasi beson se mund ta fitojnë trofeun evropian në fund.
“Është mjaft e vështirë të përballesh me Manchester Cityn 11 kundër 11, por të luash me dhjetë lojtarë pas 20 minutash është pothuajse e pamundur”, ka thënë fillimisht Conte pas ndeshjes.
“Në mbrojtje luajtëm mirë, megjithëse në situatat ku pranuam gola mund të kishim bërë shumë më mirë. Megjithatë, nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi – ata treguan karakter dhe përkushtim”.
“Nëse ndeshja do të kishte mbetur 11 kundër 11, mund të kishim parë një ndeshje krejtësisht të ndryshme. Po flasim për Manchester Cityn – një ekip fantastik. Por ne do të sjellim përsëri në Itali frymën e ekipit dhe vendosmërinë”.
“Tani duhet të rikuperohemi dhe të përqendrohemi në Serie A. Jam i bindur se jemi të aftë të kemi sukses në Ligën e Kampionëve”, përfundoi trajneri i Napolit.