Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë (20 shtator) Besfort Lamallarin si Ministrin e ri të Drejtësisë. Gjatë ceremonisë së prezantimit, Rama vuri theksin te nevoja për konsolidimin e reformës në drejtësi dhe garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor si një kusht themelor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Thelbi i raportit tonë me drejtësinë është të garantojmë dhe të konsolidojmë pavarësinë e sistemit gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi, jo vetëm në letër, por edhe në realitet. Kjo pavarësi është ende larg së qeni e garantuar përgjithmonë, dhe jemi ne që duhet ta garantojmë dhe ta konsolidojmë në këtë fazë, duke këmbëngulur në vendimin historik për të mbajtur duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia, dhe nuk do ta bëjmë këtë — aq më pak në rastet kur drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e saj përfundimtare. Ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë diferencën: a do të jetë Shqipëria një vend anëtar i BE-së me një drejtësi të pavarur, të garantuar njëherë e mirë, apo do të bjerë në tundimin e kthimit mbrapa, duke rrezikuar vetë anëtarësimin?”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se roli i Ministrisë së Drejtësisë është ridimensionuar në kuadër të reformës në drejtësi, duke e cilësuar largimin e pushtetit ekzekutiv nga proceset gjyqësore si një “premisë të domosdoshme për një drejtësi funksionale dhe demokratike”.
“Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e saj janë ridimensionuar. Kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë është zvogëluar, apo pesha që ajo ka në proceset vendimmarrëse dhe në shtetbërjen europiane të Shqipërisë është reduktuar. Përkundrazi, roli dhe pesha e saj mbeten po aq të rëndësishme sa kanë qenë,” tha Rama.
Ai shtoi se përmirësimi i standardeve ligjore është prioritet, duke përmendur nevojën për rishikimin e Kodit Penal, Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Penale.
“Kodi Penal, Kodi i Procedurës dhe Kodi Civil janë libra themeltarë të sistemit të drejtësisë, të cilëve u ka ardhur koha të rishikohen me themel. Ministria ka një barrë të madhe në procesin e negociatave për anëtarësim, dhe është pozitive që në krye të saj vjen një nga negociatorët tanë më të dalluar,” u shpreh Rama.
Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi disa nga prioritetet e tij në nisje të mandatit.
“Përmbyllja me sukses e punës për Kodin Penal, Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës është thelbësore për një sistem drejtësie më efikas, më transparent dhe më llogaridhënës. Po ashtu, dixhitalizimi dhe funksionalizimi i sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat do të jetë një tjetër shtyllë e punës sonë,” u shpreh Lamallari.
Ai njoftoi se do të përdoret inteligjenca artificiale për të pastruar legjislacionin shqiptar nga mbivendosjet dhe për të krahasuar kuadrin ligjor vendas me standardet europiane.
“Do ta konsiderojmë prioritet të përditshëm projektin për harmonizimin e legjislacionit, duke shmangur mbivendosjet përmes përdorimit maksimal të inteligjencës artificiale. Po ashtu, do të vijojmë me përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe zbatimin e masterplanit të burgjeve,” përfundoi ai.