Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot projektin Startup Albania, një platformë inovative që synon të lidhë idetë dhe talentin shqiptar me investimin, mbështetjen institucionale dhe ekonominë digjitale europiane. Në fjalën e tij në prezantimin e platformës në mbështetje të sipërmarrjes së re, kryeministri e cilësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe ndërtimit të një ekonomie konkurruese, moderne dhe të orientuar drejt teknologjisë.
Rama bëri me dije se platforma garanton sistem të drejtë e të barabartë për të gjithë aplikantët. Ai theksoi se një nga synimet është krijimi i një rrjeti bashkëpunimi mes inxhinierëve të IT-së dhe sektorëve publik e privat, për të nxitur projekte të përbashkëta dhe për të transformuar mënyrën e funksionimit të administratës shtetërore.
“Lancuam produktin që kemi kohë që po përgatisim me një kompani të orientuar drejt digjitalizimit sa i përket transparencës, saktësisë së proceseve konkurruese për grantet e qeverisë”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu ngritjen e Këshillit Kombëtar për Inovacionin, i cili do të shërbejë si një trupë bashkërendimi për të gjitha palët e interesit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, duke propozuar zgjidhje konkrete dhe politika të reja në bashkëpunim me qeverinë.
Ai vuri theksin edhe te një prej sfidave më të mëdha të komunitetit të startup-eve, që është burokracia, duke premtuar ndërhyrje të drejtpërdrejta për thjeshtimin e procedurave.
“Kjo është një pjesë shumë e vogël e mozaikut të plotë që ne po përpiqemi të sjellim bashkë në bashkëpunim të ngushtë me këtë komunitet. Një nga gjërat që do materializojmë shumë shpejt, është Këshilli Kombëtar për Inovacionin. Në praktikë, do jetë aktori kryesor për palët e interesit që do merren me qeverinë për idetë, dhe për të propozuar zgjidhje.
Diçka tjetër që kemi dëshirë dhe shtojmë përpjekjet tona si akselerues me mbështetjen e Ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, e cila do ndihmojë për nxitjen dhe shpërndarjen e gjithë hapësirës dhe rrjetit të qeverisë dhe fuqisë së Inteligjencës Artificiale dhe këtë e shohim si akseleratore si sipërmarrje të përbashkët, si urë lidhëse mes inxhinierëve të IT dhe sektorit privat e publik.
Dëshirojmë t’i japim të gjithëve mundësinë të punojnë me të dhënat anonome e të dalin me zgjidhje për këtë sektor e të mbështesin transformimin e çdo ministrie e agjencie nga një praktikë e orientuar nga Inteligjenca Artificiale”, shtoi Rama.