Një dron u rrëzua dhe shpërtheu rreth 800 metra (875 jardë) nga perimetri i një centrali bërthamor ukrainas.
Mbikqyrësi atomik i OKB-së bëri me dije mbrëmjen e djeshme (25 shtator) se dronët të cilët po pikasen pranë këtyre centraleve, po rrezikojnë sigurinë bërthamore.
Agjencia tha se monitoruesit e saj në vend u informuan se 22 dronë u vunë re në zonën e monitorimit të centralit në Ukrainën Jugore vonë të mërkurën dhe të enjten (25-26 shtator), disa prej të cilëve fluturuan deri në 500 metra.
“Monitoruesit dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime rreth orës 1 të mëngjesit dhe më vonë vizituan vendin, pranë qytetit të Pivdennoukrainsk, në rajonin e Mykolaiv, ku droni ra dhe pa një krater rreth 4 metra katrorë. Strukturat metalike aty pranë ishin goditur nga shrapnel dhe dritaret e automjeteve afër zonës së impaktit u thyen. Një linjë elektrike u prish gjithashtu, megjithëse nuk ishte e lidhur me centralin… Për fat të mirë, incidenti i mbrëmshëm nuk shkaktoi dëme në vetë centralin bërthamor të Ukrainës Jugore. Herën tjetër mund të mos jemi kaq me fat”, tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.
IAEA tha gjithashtu se stacioni i Zaporizhzhisë, i mbajtur nga Rusia, ka qenë pa energji elektrike për më shumë se 48 orë, pasi linjat e jashtme të energjisë që furnizonin centralin u ndërprenë për herë të 10-të në konflikt. Linjat furnizojnë me energji elektrike, e cila është thelbësore për ftohjen e karburantit të reaktorëve dhe parandalimin e një shkrirjeje. Gjeneratorët e emergjencës me naftë ishin në funksion.
Sipas një raporti nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Rusia është përgjegjëse për shkelje të hapura dhe sistematike të së drejtës ndërkombëtare në trajtimin e të burgosurve të luftës në Ukrainë, përfshi këtu edhe ato që nënvizohen në raport si “vrasje arbitrare”.
“Shkeljet përfshijnë gjithashtu “torturë, keqtrajtim, mohim të të drejtave për gjykim të drejtë dhe kushte të pasigurta paraburgimi dhe transferimi”, thuhet në raport.
Raporti i OSBE-së me seli në Vjenë, i publikuar një ditë më parë, është rezultat i një misioni prej tre ekspertësh të ngarkuar për të hetuar trajtimin e të burgosurve të luftës ukrainas nga Rusia. Ata zbuluan se ushtarët ukrainas nuk njiheshin si të burgosur lufte nga Rusia, gjë që “hap derën për ndjekje penale të të burgosurve të luftës për pjesëmarrje të thjeshtë në armiqësi”. “Misioni dokumentoi një numër të lartë vrasjesh dhe ekzekutimesh arbitrare që i atribuohen Federatës Ruse, që ndodhën si në fushën e betejës ashtu edhe në paraburgim”, thuhet në raport.