Opinion nga Helidon Kastrati
Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që Kosova është pjesë e Serbisë, nuk duhet të na gjejë të papërgatitur.
Ai thotë atë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e duam apo jo, edhe pse pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, kjo rezolutë është e superuar, por ligjërisht është akoma aktive në termin ndërkombëtar.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999):
• Vendos Kosovën nën administrim ndërkombëtar përmes UNMIK, duke garantuar funksionimin e institucioneve civile dhe sigurinë e rajonit.
• Rikonfirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të asaj kohe të Serbisë mbi Kosovën, duke lënë statusin final për t’u përcaktuar në dialog ndërkombëtar.
• Krijon bazën ligjore që Serbia përdor për të argumentuar se Kosova është pjesë e saj, derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare.
Nëse dikush do të dilte e të bënte “luanin” në OKB, qoftë nga Shqipëria apo edhe nga SHBA e vende të tjera, në fakt do të silleshin pa reference juridike, sepse ata e dinë shumë mirë çfarë është gatuar për Kosovën në kuadër të së drejtës ndërkombëtare ne OKB.
Sqarim i domosdoshëm: Njohjet bilaterale janë juridike dhe të vlefshme në marrëdhëniet mes dy shteteve, por ato nuk kanë autoritet në OKB në kuptimin de jure. Ato krijojnë një realitet politik e diplomatik të tipit de facto, por nuk prodhojnë automatikisht statusin ligjor të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për sa kohë që ekzistojnë veto nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.
Çfarë mbetet për ne është të veprojmë me strategji: të zgjojmë qeveritë tona, të mobilizojmë diasporën dhe të rrisim legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. Nuk duhet të luajmë me zjarrin duke u grindur për “de jure”, por të përdorim rrugët praktike për ta bërë atë që është de facto në de jure.
Ka 2 rrugë: të presësh që Serbia, Rusia e Kina ta njohin Kosovën — një pritje që praktikisht na çon në vetëvrasje politike (njohje e pamundur për shkak të vetos), ose të veprojmë menjëherë për bashkimin Kosovë–Shqipëri, një zgjidhje strategjike që hap derën për një shtet të ri shqiptar të përbashkët dhe mund të tejkalojë pengesat aktuale duke synuar njohjen përmes rrugësh juridike dhe diplomatike të koordinuara.
Rruga e njohjes që Kosova duhet të ndjekë është nëpërmjet Shqipërisë dhe jo nëpërmjet Kinës..
https://www.facebook.com/photo/?fbid=4655066997932834&set=a.268611596578418
Ndërkohë, shumë analistë dhe politikanë, për hir të posteve dhe interesave personale, nuk tregojnë popullit të vërtetën dhe shpikin “armiq të brendshëm”, më shumë se sa të jashtëm.
Çdo mënyrë tjetër për të futur Kosovën në OKB është e gabuar, sepse Rusia dhe Kina kanë veto të plotë dhe mund ta bllokojnë çdo përpjekje. Për këtë arsye, rruga reale dhe e qëndrueshme është bashkimi Kosovë–Shqipëri , duke ndërmarrë veprime të koordinuara: lobim i diasporës, diplomaci aktive, marrëdhënie bilaterale dhe përqendrim në integrimin evropian.
Pra, detyra jonë strategjike nuk është vetëm të mbrojmë shtetin e Kosovës; por është të punojmë për bashkimin kombëtar SHQIPTAR
Shkruar nga Helidon Kastrati
