Rripin e Gazës mundën vetëm ta shohin, por jo ta shkelin. Marina izraelite ka ndaluar anije që transportonin ndihma për në enklavën palestineze dhe ka kapur aktivistët në bord, përfshirë aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se disa anije që janë pjesë e Flotiljes Globale Sumud ishin “ndaluar në mënyrë të sigurt” dhe se ata që ishin në bord po transferoheshin në një port izraelit.
Gjithashtu shtoi se marina u kishte thënë anijeve të ndryshonin kursin ndërsa po “i afroheshin një zone aktive luftimi”. Mbi 200 aktivistë u ndaluan dhe do të transferohen në portin e Ashdodit dhe do të dëbohen.
Rreth tridhjetë italianë u ndaluan, përfshirë eurodeputetin Scuderi dhe senatorin Croatti. “Greta Thunberg dhe miqtë e saj janë shëndoshë e mire”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Saar në X, duke postuar një video të arrestimit të aktivistes suedeze.
“Njëzet e tre anije vazhdojnë të lundrojnë me shpejtësi të plotë drejt Gazës, vetëm 46 milje detare larg, pavarësisht sulmeve të pamëshirshme të marinës izraelite”, njoftoi flotilja.
Grupi i aktivistëve e përshkruan reagimin si “të paligjshëm” dhe “jo një akt mbrojtjeje”, por “një akt të paturp dëshpërimi”. Flotilja ka pretenduar se një anije e saj është “përplasur qëllimisht në det” dhe tha se anije të tjera u goditën nga ujë me presion dhe bomba shoku.
Shumë njerëz janë mbledhur në Greqi, Itali, Gjermani, Tunizi dhe Turqi për të protestuar kundër ndalimit të flotiljes nga Izraeli.
Në një deklaratë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, i bëri thirrje Izraelit që “të heqë urgjentisht bllokadën ndaj Gazës dhe të lejojë hyrjen e materialeve shpëtimtare me të gjitha mjetet e mundshme”, duke shtuar se duhet të bjerë dakord të lehtësojë skemat e paanshme të ndihmës humanitare “pa pengesa”.