Mançesteri është në gatishmëri të lartë pasi u trondit nga një sulm me thikë në një sinagogë në zonën e Crumpsall, ku të paktën katër persona u plagosën dhe sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia.
Efektivët iu përgjigjën raportimeve për një makinë që u përplas me një turmë njerëzish dhe një burrë që u ther me thikë në Sinagogën e Komunitetit Hebraik të Parkut Heaton, në Britaninë e Madhe ditën e sotme.
Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, gjetën katër persona të plagosur. Policia thotë se lëndimet ishin shkaktuar si nga automjeti ashtu edhe nga goditjet me thikë, informon media britanike.
Në të njëjtën kohë, një burrë që besohet të jetë autori i sulmit u qëllua nga policia që mbërriti në vendngjarje. Në fakt, kryebashkiaku i Mançesterit i tha BBC Radio Manchester se autori është i vdekur, por kjo nuk është konfirmuar ende.
Sipas Skynews, Policia e Mançesterit të Madh thotë se ka “shpallur PLATO” – kodin kombëtar të përdorur nga policia dhe shërbimet e emergjencës kur i përgjigjen një “sulmi terrorist agresiv”.
Kryeministri Keir Starmer kthehet në Britani Kryeministri britanik do të kthehet herët nga takimi i Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen pas sulmit.
Në një postim të shkurtër në mediat sociale, Keir Starmer tha se ishte “i tronditur” nga sulmi ndaj një sinagoge në Crumpshall. “Fakti që kjo ndodhi në Yom Kippur, ditën më të shenjtë në kalendarin hebraik, e bën atë edhe më të tmerrshme”, shtoi ai.