Opozita vijon të mos ketë një emër kandidati për garën elektorale në Tiranë, teksa kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se deri më tani mbledhjet janë zhvilluar për të diskutuar mbi modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar dhe jo për kandidatura. Në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike, Berisha theksoi se për zgjedhjet në Tiranë u ngrit një delegacion për të eksploruar pikërisht modelin mbi të cilin do të dakordësohej e gjithë opozita.
“Për Tiranën ngrita një delegacion për të eksploruar, jo kandidaturat, por me aleatët modelin ku ne mund të binim dakord, një model që të ishim të gjithë të bashkuar në opozitë, edhe me ata që ishim në koalicion edhe me të tjerë. Disa e kanë shprehur haptas që do preferonin një kandidat të pavarur dhe të mbështetur nga opozita në mënyrë që shanset, nëse e mbështet e gjithë opozita, të jenë më të mëdha. Përpjekja jonë për të arritur ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare, nuk ka asnjë lidhje me probleme me kandidatët tanë të shkëlqyer, por me Kodin Elektoral, tërësinë e votave si opozitë. Nuk janë bërë diskutime për kandidatura, për modelin që do bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës”, tha Berisha.
Ai la të hapur mundësinë që opozita të garojë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës me një kandidat jashtë strukturave të PD-së dhe partive të tjera politike. Edhe pse nuk dha një emër konkret, Berisha theksoi se një figurë e tillë do të kishte më shumë potencial për të fituar.
“Qindra mijëra militantë do donin një kandidat nga radhët tona, por të tjerë preferojnë një figurë jashtë nesh, jo për arsye negative, por për të qenë sa më afër fitores. Dalja jashtë modelit tradicional të PD-së shihet si një përfillje më e madhe për elektoratin dhe si një mundësi me më shumë shanse”, tha Berisha.
Ndalur te mundësia e bojkotit të zgjedhjeve, Berisha e hodhi poshtë atë, teksa theksoi se një zgjedhje e tillë “është provuar se ka efekt shkatërrimtar tek opozita”.
“Dhunimet e rënda të Kushtetutës nga njerëz të inkriminuar, të lidhur me përvetësime të mëdha të pronave publike si Edi Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, seria e dhunimit të Kushtetutës me aktet e tyre, me të drejtë e bëjnë të debatueshëm, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë elektorale. Parimet e Kushtetutës janë të pavdekshme, janë thelbësore për një sistem demokratike, por në një narko-diktaturë janë të parespektuara. Një opozitë në regjimet autoritare, ka si mision përmbysjen e saj, por duke mos mashtruar veten se ajo përmbyset me votë. Por një opozitë duhet ët shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër regjimit autoritar. Bojkoti, i cili është një vendim që para çdo padrejtësie të vjen i pari në mendje, është provuar me një efekt destruktiv për opozitën, për ekzistencën e tyre. Në pamje të parë ti mendon se po e ndëshkon, por absolutisht ti i bën qejfin narko-diktatorit. Opozita nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj”, theksoi ai.
Zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera në vend, Berat, Cerrik, Vlorë, Tepelenë dhe Mat do të mbahen më 9 nëntor. Në Tiranë, Partia Soliste ka kandiduar Ogerta Manastirliun.