Ish mesfushori i Barcelonës, Gerard Lopez i ka bërë thirrje trajnerit Hansi Flick të rishikojë sistemin mbrojtës pas humbjes 4-1 ndaj Sevillas, duke e cilësuar paraqitjen si shqetësuese dhe potencialisht dëmtuese për ekipin.
Sipas Lopez, disfata “mund të çojë në një rivlerësim të aspektit mbrojtës”, ndërsa rezultatet e dobëta të fundit tregojnë probleme më të thella strukturore. Ai theksoi se Flick duhet të “rishqyrtojë bazat mbrojtëse të skuadrës”.
Lopez kritikoi sidomos vijën e lartë të mbrojtjes: “Është një gjë ta ngresh linjën lart dhe ta bësh mirë, siç ka ndodhur shpesh, dhe një tjetër të jesh… vetëvrasës”.
Sipas tij, kundërshtarët tashmë e kanë lexuar sistemin e Flick: “Pa presion ndaj topit dhe me vijën gjithmonë të ngritur, në fund skuadrat e kuptojnë. Ai është tashmë këtu një vit, një vit e gjysmë, dhe duhet të jemi kritikë ndaj këtij Barçës për mënyrën si mbrohet”.
Duke folur për humbjen ndaj Sevillës, Lopez shtoi se mungesa e intensitetit dhe organizimit ishte e dukshme: “Nuk pati as presion, as kohëzgjatje në aksione, gjë që u lejoi lojtarëve të Sevillas të krijonin rrezik në shumë momente”.
Për Barcelonën, kjo ishte humbja e parë këtë edicion në La Liga, kurse renditen në pozitën e dytë, dy pikë mbrapa Real Madridit.




