Në shëtitoren ‘El Poblado’, në jug të Medelinit, u vra një person i identifikuar si Artur Tushi, 44 vjeç, i cili sipas Policisë Metropolitane kishte dokumente ekuadoriane, megjithëse ishte me kombësi shqiptare.
Sipas autoriteteve, Tushi dyshohej se kishte lidhje me rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës, dhe në vendngjarje u arrestua një person i dyshuar si përgjegjës.
“Kemi arrestuar në flagrancë një person 35-vjeçar, me shtetësi venezueliane, për veprat penale të vrasjes së rënduar dhe mbajtjes së paligjshme të armës së zjarrit. Përmes zyrës së Interpol-it, kemi kërkuar informacion nga vende të ndryshme që të ndihmojë në identifikimin e plotë të tij”, shpjegoi gjeneral William Castaño, komandant i Policisë së Valle de Aburrá.
Ky krim ndodhi vetëm pak ditë pasi në një fermë në Rionegro u vra “El Ecuatoriano”, i cili ishte identifikuar si lidhja ndërkombëtare e organizatës kriminale ekuadoriane “Los Choneros”, e përfshirë në trafikun e kokainës dhe e lidhur me kartelin “Clan del Golfo”.
Po ashtu, javën e kaluar u arrestua Rollando Federico Gómez Quinde, i njohur si “Fede”, i konsideruar nga policia si udhëheqësi kryesor i “Los Choneros”, për të cilin ishte shpallur një shpërblim deri në një milion dollarë.
Studiuesi Fernando Quijano, president i Korporatës për Paqe dhe Zhvillim Social (Corpades), paralajmëroi se këto struktura kanë lidhje të drejtpërdrejta me organizata të Meksikës.
“Bëhet fjalë për aleanca të Kartelit të Sinaloas, që punojnë drejtpërdrejt për ta. Ata po fusin sasi të mëdha ketamine, të cilën ne e kemi quajtur merkuri i kuq”, deklaroi Quijano.
Ai gjithashtu paralajmëroi për interesin e këtyre rrjeteve në portin e ri të Antioquías, në Urabá, i cili pritet të fillojë së shpejti funksionimin.
“Në portin e Urabás, gjithë krimi transnacional po vendos bazat për biznese të ardhshme që po përgatiten”, shtoi ai.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Medelinit, Federico Gutiérrez, pranoi se në qytet veprojnë mafie të huaja që vijnë nga Azinë, Italia, Amerika Qendrore dhe Meksika, me rrjete që merren me shfrytëzim seksual dhe ekonomi të ndryshme kriminale.
Një nga zonat më të prekura nga këto struktura është Parku Lleras, tradicionalisht një zonë turistike dhe argëtimi. Megjithatë, rritja e numrit të vizitorëve të huaj ka përkuar me një shtim të krimeve si shfrytëzimi seksual, trafiku i drogës dhe vjedhjet.