Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka marrë pjesë në panelin e diskutimit të Konferencës për Mbrojtjen Kibernetike, që po zhvillohet në Tiranë.
Në një periudhë ku kërcënimet kibernetike janë gjithnjë e më të pranishme dhe të sofistikuara, Vëngu tha se Shqipëria ka theksuar angazhimin e saj për të rritur kapacitetet dhe bashkëpunimin me Aleancën për të garantuar një mbrojtje të sigurt kolektive.
Ministri theksoi se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë kibernetike, duke përfshirë krijimin e Komandës Kibernetike dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja teknologjike.
“Teksa realiteti aktual na ballafaqon me sfida dhe fronte të reja për mbrojtjen kolektive, vendet e Aleancës kërkojnë të shtojnë kapacitetet, bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe sistemeve të sigurta, dhe ndërlidhjes.
Shqipëria ka dëshmuar një rol të shtuar, qoftë nëpërmjet formimit të Komandës Kibernetike, rritjes së kapaciteteve dhe koordinimit të shtuar me NATO-n, dhe do vazhdojë të rris vëmendjen dhe investimet në këtë fushë të rëndësishme për Sigurinë Kombëtare”, tha Vëngu.
Kjo konferencë po zhvillon punimet më 9 dhe 10 tetor, ku në foks përpjekjet e përbashkëta për të adresuar kërcënimet dhe për të siguruar që shtetet anëtare të NATO-s të jenë të përgatitur për sfidat e ardhshme në një botë gjithnjë e më të dixhitalizuar.
Ky eveniment ka bashkuar gjeneralë, drejtues dhe ekspertë të NATO-s, si dhe komandantë të tjerë nga vendet partnere, për të diskutuar rreth sfidave dhe mundësive të reja në fushën e sigurisë digjitale.