Presidenti Trump sqaroi se nuk e ka anuluar zyrtarisht takimin e tij me Presidentin kinez Xi Jinping, pavarësisht se shprehu habi për kufizimet e reja të eksportit të Kinës për elementët e rrallë të tokës. Ai paralajmëroi për kundërmasa të forta të SHBA-së, duke përfshirë një tarifë 100% për mallrat kineze dhe kontrolle të eksportit për softuerët kritikë, që do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2025.
“Jo, nuk e kam anulluar. Megjithatë, nuk jam i sigurt nëse do ta kemi. Do të jem atje gjithsesi. Do të supozoja se mund ta kemi. Megjithatë, ata e goditën botën me diçka. Ishte tronditëse. Papritur, ata dolën me të gjithë këtë koncept import-eksporti dhe askush nuk dinte asgjë për të”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë
Më parë, Trump kishte thënë se nuk kishte “asnjë arsye për t’u takuar” me Presidentin kinez Xi Jinping pasi Pekini ndërmori hapa “shumë armiqësorë” duke vendosur kontrolle të reja gjithëpërfshirëse të eksportit mbi elementët e rrallë të tokës. Ai gjithashtu kishte paralajmëruar se SHBA-të po përgatiteshin të përgjigjeshin me kundërmasa të forta.
Kur u pyet nëse SHBA-të do të revokojnë tarifat shtesë ndaj Kinës nëse kjo e fundit i heq kufizimet, Trump tha: “Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Kjo është arsyeja pse e vendosa 1 nëntorin.”
Ai shtoi se SHBA-të po shqyrtonin kontrollet e eksportit për një gamë artikujsh përtej softuerëve, duke përfshirë pjesët e avionëve. “Shumë më tepër. Ne kemi aeroplanë dhe pjesët e tyre. Thjesht u habitëm nga Kina. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin Xi, dhe ata e bënë këtë. Kjo nuk është diçka që e nxita unë. Kjo ishte thjesht një përgjigje ndaj diçkaje që ata bënë. Dhe ata nuk e kishin drejtuar vërtet kundër nesh. Ata e kishin drejtuar kundër të gjithë botës. Mendova se ishte shumë, shumë keq”, tha ai.
Mes kufizimeve gjithnjë e më të mëdha të Pekinit mbi eksportet e metaleve të rralla dhe teknologjive të lidhura me to, Presidenti i SHBA-së ka njoftuar se SHBA-të do të vendosin një tarifë prej 100% mbi mallrat kineze “përtej çdo tarife që po paguajnë aktualisht”, duke filluar nga 1 nëntori 2025.
Trump tha se kontrollet e eksportit do të vendosen në të gjitha softuerët kritikë duke filluar nga e njëjta ditë.
Në një postim në Truth Social të premten (ora lokale), Presidenti i SHBA-së tha: “Bazuar në faktin se Kina ka marrë këtë qëndrim të paprecedentë, dhe duke folur vetëm në emër të SHBA-së, dhe jo të kombeve të tjera që u kërcënuan në mënyrë të ngjashme, duke filluar nga 1 nëntori 2025 (ose më shpejt, varësisht nga çdo veprim ose ndryshim i mëtejshëm i ndërmarrë nga Kina), Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një Tarifë prej 100% ndaj Kinës, mbi çdo Tarifë që ata po paguajnë aktualisht. Gjithashtu, më 1 nëntor, ne do të vendosim Kontrolle Eksporti për çdo softwer kritik.”
Trump e njoftoi këtë në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si marrjen e “një qëndrimi jashtëzakonisht agresiv ndaj tregtisë” nga Kina duke dërguar “një letër jashtëzakonisht armiqësore ndaj botës”.