Arrestohet polici në Fushë-Krujë, AMP: Efektivi u kap në një parcelë me 65 bimë kanabis

albnews
By
1 Min Read

Një efektiv është arrestuar në Fushë-Krujë, i akuzuar për kultivim kanabisi. Përmes një njoftimi për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se efektivi me inicialet E. L., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Fushë-Krujës, u kap në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë, ku ishin mbjellë 65 bimë kanabis. Ai ka qenë sëbashku me vëllain, person i shpallur në kërkim, ndërsa kur kanë parë forcat e policisë, kanë tentuar të largohen, por pa sukses.

Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Share This Article