Që nga dita e hënë, ndalohet përkohësisht qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugë.
Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njoftoi këtë vendim si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të aksidenteve të ndodhura, gjatë përdorimit të këtyre mjeteve në hapësirat rrugore.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se ky vendim është një masë e përkohshme për të garantuar sigurinë publike dhe rrugore. Ajo sqaroi më tej se lejimi i monopatinave elektrike, pas hartimit të rregullave, do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak, dhe jo për qëllime komerciale.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si një mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si helmetat, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, theksoi ministrja.
Edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, duke theksuar se kjo është një masë e nevojshme për sigurinë rrugore.
“Ky është një hap i domosdoshëm për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të shmangur rreziqet që lidhen me përdorimin e pakontrolluar të monopatinave,” u shpreh ai.
Shqipëria nuk është i vetmi vend i përballur me këtë situatë. Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut e shumë vende të tjera kanë marrë masa drastike me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm.