Operacioni i madh i kryer së fundmi nga policia italiane në zemër të vendit, çoi në zbulimin e një apartamenti të mbushur me 200 kg kokainë dhe i kthyer në laborator, teksa në pranga ra edhe një 22-vjeçar që mendohet se bënte ruajtjen e ngarkesës për llogari të kartelit.
I arrestuari është Kristian Preni, i cili pas arrestimit ka thënë se ishte përfshirë në këtë biznes pasi “Doja të ndihmoja familjen time të varfër.”
Kristian, një 22-vjeçar shqiptar, i arrestuar në Romë pasi 200 kilogramë kokainë u sekuestruan në apartamentin e tij në Tor Vergata, u mbrojt para gjyqtarit hetues gjatë masës paraprake:
“Unë vij nga një familje e varfër, u përfshiva në një biznes të keq”, vijoi ai.
Në apartament u gjetën gjithashtu 30,000 euro dhe një armë e vjedhur.
Karabinierët gjetën dyqind kilogramë kokainë në apartamentin e tij në Tor Vergata, Romë, një sasi që do të kishte vlerën e të paktën 16 milionë eurove në treg.
Arrestimi i Kristianit, një 22-vjeçar me origjinë shqiptare, i akuzuar për posedim me qëllim shpërndarjen e narkotikëve, marrjen e mallrave të vjedhura dhe posedimin e paligjshëm të armëve, u vërtetua nga gjyqtari i hetimeve paraprake dhe tani ai ndodhet në burgun e Rebibbias.
Por 22-vjeçari mbroti veten. “U përfshiva në një situatë të keqe sepse familja ime është e varfër, jeton në kushte të dëshpëruara dhe shumë të vështira”, i tha ai gjyqtarit hetues.
Hetuesit besojnë se ngarkesa i përket një organizate të fuqishme kriminale, për shkak të sasisë së madhe të saj, që pas shitjes mund të nxirrte fitime deri në 100 mln euro.
“Po kthehesha në Shqipëri!” Kyç gojën për organizatën kriminale
“Kur më ndaluan, po kthehesha në Shqipëri”, shtoi ai, fjalët e të cilit u raportuan nga “La Repubblica”. Është hera e parë që bëj diçka të tillë. Arma nuk është e imja; nuk e kam blerë dhe as përdorur kurrë”, vijoi ai.
Një Beretta 92 e vjedhur dhe 30,000 euro para të gatshme u gjetën gjithashtu në apartament.
Babai i tij ishte alkoolik dhe nëna e tij e papunë. Ja se si, siç raporton gazeta, e përshkroi i riu situatën e vështirë familjare që do ta çonte atë të bëhej një gur shahu për trafikantët e drogës.
“Kisha qenë në Itali për periudha të shkurtra në të kaluarën, por u transferova në Romë gjashtë muaj më parë dhe kërkova punë si hidraulik”, vazhdoi ai.