Janë publikuar pamje nga bastisjet që kanë nisur mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, ku Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në nëntë lokacione në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Pamjet tregojnë forca të shumta policore, automjete të blinduara dhe njësi të specializuara duke realizuar kontrolle në objekte të ndryshme.
Operacioni lidhet me hetime për “Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me ta”, “Vrasje të rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

“Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, janë duke u realizuar bastisje në 9 lokacione në veri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Pamjet nga vendi i ngjarjes po qarkullojnë në rrjete sociale dhe media, duke shfaqur një prani të shtuar të sigurisë dhe ndërhyrje të koordinuara në zona të ndjeshme.
Autoritetet kanë paralajmëruar se më shumë detaje do të publikohen pas përfundimit të aksionit.

