Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA- të në Gaza duket se i ka mbijetuar provës së parë të madhe, pasi Izraeli dhe Hamasi konfirmuan angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes pasi dy ushtarë izraelitë u vranë në enklavë të dielën, duke shkaktuar një valë sulmesh ajrore.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë në një deklaratë se do të fillonin një “zbatim të rinovuar” të armëpushimit sipas udhëzimeve të hierarkisë politike.
Hamasi dhe krahu i tij ushtarak, Brigadat Al-Qassam (AQB), thanë të dielën në mëngjes se mbeten të përkushtuar ndaj armëpushimit dhe hodhën poshtë përfshirjen në sulmin ndaj forcave izraelite.
Angazhimi i deklaruar për armëpushim vjen në një kohë kur negociatorët kryesorë të marrëveshjes , Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, do të mbërrijnë në rajon, raporton CNN, ndërsa administrata Trump po lëviz për të zbatuar fazën tjetër të marrëveshjes.
Zëvendëspresidenti JD Vance pritet gjithashtu të udhëheqë një delegacion amerikan në Izrael këtë javë, thanë burime të njohura me planet për CNN.
“Administrata mbetet e përqendruar në zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe ne po punojmë fuqishëm me partnerët tanë për ta bërë këtë. Nuk do të japim detaje për bisedat private diplomatike që po zhvillohen”, tha një zyrtar amerikan për CNN.
Të dielën, Izraeli kreu një seri sulmesh në të gjithë Gazën pasi akuzoi Hamasin për kryerjen e një sulmi që vrau dy ushtarë të IDF-së – major Yaniv Kula, 26 vjeç, dhe rreshter Itay Yavetz, duke shënuar herën e parë që trupat izraelite janë vrarë në Gaza që nga armëpushimi.
Sulmet izraelite vranë të paktën 44 persona në disa pjesë të Gazës të dielën, sipas të dhënave nga spitalet e Gazës.
Si Hamasi ashtu edhe IDF-ja fajësuan njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit.
Skena paniku u shfaqën në Gaza gjatë sulmeve, ku turma u panë të mbledhura në spitalin al-Aksa ndërsa të plagosurit u dërguan me urgjencë në objekt.