Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se mund t’i kërkojë Izraelit të kthehet në zonat e tërhequra të Gazës dhe të zhdukë Hamasin.
Sipas Trumpit, ai po përmbahet për të dhënë mundësi që armëpushimi i brishtë, i ndërmjetësuar nga vetë ai në fillim të këtij muaji, të ketë sukses.
Deklarata e Trump vjen pas sulmit të rëndë ndaj trupave izraelite në Gazë, sulm për të cilin ai beson se nuk u autorizua nga udhëheqja e Hamasit.
“Ne bëmë një marrëveshje me Hamasin se ata do të sillen shumë mirë, do të jenë të sjellshëm, dhe nëse jo, atëherë do t’i zhdukim nëse është e nevojshme,” u shpreh Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Ai përsëriti bindjen e tij se sulmi i djeshëm vdekjeprurës ndaj trupave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Gazë nuk u urdhërua nga udhëheqësit e grupit terrorist.
“Nuk besoj se ishin udhëheqësit, por ata kanë disa rebelime të brendshme mes tyre. Ata vranë disa njerëz”, vazhdoi Trump, duke iu referuar edhe dhjetëra ekzekutimeve të kryera nga Hamasi kundër anëtarëve të klaneve rivale, jo vetëm sulmit ndaj trupave izraelite të dielën.
“Ky është një grup i dhunshëm… Ata u bënë shumë të egër dhe bënë gjëra që nuk duhej t’i bënin. Nëse vazhdojnë kështu, ne do të rregullojmë situatën, dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe mjaft ashpër,” tha Trump.
Trump pretendoi se ka pasur interes nga vende të tjera për të ndërhyrë në Gazë.
“Ka vende që më kanë telefonuar kur panë vrasjet nga Hamasi, duke thënë: ‘Do të donim të shkonim dhe të merreshim vetë me situatën,” tha ai.
Megjithatë, asnjë vend nuk ka shprehur publikisht gatishmërinë për të dërguar trupa në Gazë, përveç Indonezisë.
Sipas zyrtarëve të informuar, Azerbajxhani dhe Turqia kanë shprehur gatishmërinë e tyre privatisht.
“Nëse unë do t’i thoja Izraelit: ‘Shkoni dhe merruni vetë me Hamasin, ata do të hynin në dy minuta. Por tani për tani, nuk ka pse ndodh kjo. Do t’i japim një shans,” shtoi Trump, duke theksuar se po i jep kohë armëpushimit për të funksionuar, por duke lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje të ashpër nëse Hamasi shkel marrëveshjen.