Komisari i BE-së për çështje të zgjerimit, Oliver Varhelyi, ka përsëritur të mërkurën se edhe Kosova, sikur edhe vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të anëtarësimit në BE.
Këtë e ka thënë duke rikujtuar porosinë nga samiti i Selanikut i vitit 2003 dhe duke paralajmëruar se kjo do të përsëritet edhe në samitin e Zagrebit, në fillim të muajit maj të këtij viti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në një pyetje se a mund të ketë parashikueshmëri dhe a e sheh edhe Kosovën si vend me status kandidati, komisari Varhelyi ka thënë se e sheh si zhvillim pozitiv krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe se “nëse Kosova është e gatshme të angazhohet në bërjen e saj shtet kandidat për BE, ne jemi të gatshëm të punojmë me të”.
Këto përgjigje ai i ka dhënë në një konferencë shtypi në Bruksel, ku ka paraqitur propozimin e Komisionit Evropian për metodologjinë e reviduar të procesit të zgjerimit.