Një trafikant shqiptar droge, i konsideruar më parë si ‘rrezik serioz për publikun’, është lejuar të qëndrojë në Britani pas një vendimi të gjykatës, e cila pranoi pretendimin e tij se ‘është penduar dhe ka mësuar leksionin’.
Arlind Nabolli, 29 vjeç, u arrestua duke shpërndarë kokainë dhe kanabis dhe u dënua me më shumë se dy vite burg. Policia i gjeti 10 gramë kokainë, 30 gramë kanabis, para në dorë dhe dokumente për dy transfertë parash drejt Shqipërisë.
Gjykata e parë kishte vlerësuar se Nabolli ‘ishte në zakonin e tregtimit të drogës në Maidstone, Kent’, pasi makina e tij ishte parë disa herë duke hyrë në qytet.
Megjithatë, tani një gjykatës i Tribunalit të Lartë të Emigracionit dhe Azilit ka vendosur që shqiptari të mos deportohet, me argumentin se ai ka treguar pendesë dhe nuk përbën më kërcënim për shoqërinë.
Në seancë, Nabolli deklaroi se ‘ka mësuar leksionin’ dhe se tashmë është ‘një qytetar i ndershëm’, duke punuar si shpërndarës mallrash. Ai hyri në Britani në vitin 2018 bashkë me bashkëshorten, por në janar 2022 mori njoftimin e deportimit nga Home Office, pasi kishte kryer një ‘vëprim të rëndë penal’.
Vetëm dy vjet pasi kishte marrë leje qëndrimi, Nabolli u shpall fajtor për trafikim droge me qëllim shpërndarjeje dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u dënuar me 33 muaj burg.
Fillimisht, kërkesa e tij për të qëndruar në Britani u refuzua, por ai e apeloi vendimin, duke pretenduar se shkelja ishte ‘e vetme’ dhe se gjatë burgut kishte kaluar një proces rehabilitimi që nuk mund ta vazhdonte nëse do të kthehej në Shqipëri.
Ai shtoi se bashkëshortja dhe fëmijët e tij nuk kishin ndërmend të largoheshin nga Britania, dhe se ‘nuk mund ta përballonte ndarjen’ nga familja.
Në vendimin përfundimtar, gjykatësi Karim-ullah Khan theksoi se Nabolli jeton me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, punon me kohë të pjesshme dhe ndan kujdesin për fëmijët me bashkëshorten. ‘Ai ka treguar pjekuri dhe vetëdije për gabimet e së kaluarës, nuk ka pasur asnjë përsëritje të veprave penale, dhe jeta e tij duket e qëndrueshme dhe e përqendruar në familje,’ – thuhet në vendim.
Përfaqësuesja e Home Office, Arifa Ahmed, argumentoi se Nabolli nuk kishte rënë në shkelje të tjera vetëm për shkak të frikës nga deportimi, por gjykatësi nuk e pranoi këtë pretendim.
Në përfundim, gjykata vlerësoi se ‘nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se ai ka prirje për t’u rikthyer në krim’ dhe se ‘në këtë moment, sjellja e tij nuk përbën rrezik real dhe serioz për interesat themelore të shoqërisë’.
Vendimi përfundimtar: Apeli i Arlind Nabollit u pranua, dhe ai lejohet të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar.




