Një nga dëshmitaret e fundit të qëndresës së klerit dhe të besimtarëve katolikë gjatë komunizmit, ndër të paktat murgesha që i mbijetuan atij regjimi, Marije Kaleta, vjen si dëshmi e gjallë në botimin e Frano Kullit.
Në bibliotekën “Gjergj Fishta” në Lezhë është promovuar libri “Marija që përloti Papa Françeskun”.
Në një kohë kur kjo dëshmi e mbijetesës së fesë nuk jeton më, botimi ndalet jo vetëm në momentin historik të Atit të Shenjtë në Shqipëri në vitin 2014, por edhe në takimin me motër Marijen që la mbresë në kujtesën kolektive.
Prifti Dom Emiljan Paloka tha: “Kur i pamë fytyrën e saj, në të cilën shprehet kalvari i vuajtjeve të gjata që ka përjetuar, na shkonte mendja edhe ne priftërinjve t’i puthnim duart e saj.”
Motër Terezina Demaj, murgeshë: “Marija ishte një shembull, një model i veçantë për të gjitha ne motrat.”
Shkrimtari dhe gazetari Marash Mirashi theksoi: “Libri për Marije Kaletën na tregon edhe një herë se heshtja është mënyra më e lartë e komunikimit me Zotin. Dashuria është mënyra më fisnike e qëndresës.”
Ndue Dedaj, shkrimtar: “Unë jam përpjekur që të mbledh kujtime përtej të miave, por edhe të të tjerëve. Figura e motrës Marije Kaleta besoj se i shërben kujtesës sonë kombëtare.”
Besimi i dha jetë murgeshës katolike, teksa Papa e dekoroi si martire të gjallë të fesë. E lindur në Zadrimë të Shkodrës, Marije Kaleta i përkiste Urdhrit të Murgeshave Stigmatine.
Ajo u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Emri i saj është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik, ndërsa ishte mbesa e Dom Ndoc Sumës, viktimë e regjimit komunist.




