Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s ka deklaruar se aleanca do të qëndrojë me Ukrainën deri në ditën kur të vendoset paqja.
Duke folur nga pikëpamja operacionale për luftën Rusi-Ukrainë ai tha se “është koha për t’u ulur dhe folur sepse po humben jetë njerëzish”. Duke iu referuar faktit se pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë ndaj Ukrainës në 2022 rezultoi në anëtarësimin e dy vendeve të tjera në aleancën perëndimore – Finlandën dhe Suedinë – Admirali Dragone e përshkroi luftën si një dështim strategjik për presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht përparimeve të ngadalta dhe graduale të Rusisë në fushën e betejës së fundmi.
I pyetur nëse vendet evropiane ishin të përgatitura për të vazhduar mbështetjen për mbrojtjen e Ukrainës, ai tha se po, transmeton BBC.
Në qershor, anëtarët e NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në 2035.
Kjo lëvizje pasoi thirrjet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump që anëtarët ta bënin të njëjtën gjë.
Sa i përket qëndrimit të fundit të Rusisë lidhur me armët bërthamore me rreze të gjatë veprimi, si Burevestnik dhe Poseidon, ish-shefi i mbrojtjes italiane dhe aviatori detar e minimizoi shqetësimin e NATO-s, duke thënë se ajo ishte një aleancë bërthamore mbrojtëse.
“Ne nuk jemi të kërcënuar prej tyre, duhet thjesht të jemi të gatshëm të mbrojmë 32 vendet tona dhe një miliard njerëzit tanë. Ne jemi një aleancë bërthamore”, u shpreh Dragone.
Lufta Rusi-Ukrainë është konflikti më i madh dhe më i përgjakshëm i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nga të gjitha nevojat e mbrojtjes së NATO-s tani, Adm. Dragone tha se mbrojtja ajrore ishte prioriteti kryesor.
Incursionet e fundit të dronëve rusë në Poloni dhe Rumani kanë shtyrë aleancën të përmirësojë mbrojtjen ajrore.
Lidhur me mundësinë e aktivizimit të një “muri dronësh” hipotetik në kufijtë lindorë të NATO-s, ai tha se kjo do të bëhej brenda muajve dhe se “Komanda e Transformimit të Aleancës në Norfolk [Virxhinia] po punon tashmë për këtë”.




