Rafineritë më të mëdha të naftës në Turqi po zvogëlojnë ndjeshëm blerjet e naftës ruse dhe po diversifikojnë furnizimet nga prodhues të tjerë, si përgjigje ndaj sanksioneve të fundit perëndimore kundër Moskës, të cilat synojnë të kufizojnë eksportet ruse që financojnë luftën kundër Ukrainës.
Sanksionet e reja të SHBA-së, të shpallura më 22 tetor, godasin dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, si dhe filialet e tyre.
Këto masa hapin rrugën për sanksione sekondare ndaj institucioneve të huaja që trajtojnë transaksione me entitetet e listuara, duke rritur presionin mbi blerësit kryesorë si Turqia, India dhe Kina.
Sipas burimeve të industrisë të cituara nga Reuters, ky zhvendosje shënon një ndryshim të rëndësishëm për Turqinë, një nga importuesit kryesorë të naftës ruse.
Rafineria STAR e Detit Egjik (SOCAR Turkey Aegean Refinery), e zotëruar nga kompania shtetërore azere SOCAR, ka siguruar kohët e fundit katër dërgesa nafte të papërpunuar nga Iraku, Kazakistani dhe prodhues të tjerë jo-rusë për dërgim në dhjetor.
Këto blerje arrijnë në mes 77,000 dhe 129,000 fuçi në ditë, duke ulur ndjeshëm pjesën e naftës ruse në furnizimin e rafinerisë.
Në tetor dhe shtator, nafta ruse përbënte pothuajse të gjithë furnizimin e STAR-it, rreth 210,000 fuçi në ditë, sipas të dhënave të Kpler.
Një nga dërgesat është naftë KEBCO nga Kazakistani, e ngjashme në cilësi me naftën ruse Urals, por e furnizuar nga një burim tjetër.
Rafineria tjetër kryesore turke, Tupras, po rrit blerjet e naftës jo-ruse, duke përfshirë llojet irakene me cilësi të ngjashme me Urals-in.
Sipas “Reuters” Tupras planifikon të eliminojë plotësisht importet e naftës ruse në njërën nga dy rafineritë e saj kryesore, duke i mundësuar kompanisë të vazhdojë eksportet e karburantit drejt Evropës pa shkelur kufizimet e ardhshme të BE-së.
Turqia, e cila pritet të marrë 141,000 fuçi naftë irakene në nëntor (në rritje nga 99,000 në tetor), po kërkon furnitorë të rinj për të shmangur rreziqet financiare dhe politike.




