Dy shtetas britanikë të dënuar për drogë, mes tyre edhe e dënuara me vdekje Lindsay Sandiford, janë riatdhesuar nga Indonezia të premten, në kuadër të një marrëveshjeje dypalëshe për kthimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar për arsye humanitare.
Indonezia njihet për disa nga ligjet më të rrepta kundër drogës në botë, por gjatë vitit të fundit ka liruar ose transferuar më shumë se gjashtë të dënuar të profilit të lartë. Sandiford, tani 69 vjeçe, u dënua me vdekje në vitin 2013, pasi autoritetet doganore në Bali zbuluan 5 kg kokainë, me vlerë mbi 2 milionë dollarë, të fshehur në fundin e dyfishtë të valixhes së saj.
Ajo ka pranuar fajësinë, duke deklaruar se ishte detyruar të transportonte lëndën narkotike pasi një grup kriminal kishte kërcënuar se do të vriste djalin e saj.
Së bashku me të u riatdhesua edhe Shahab Shahabadi, 36 vjeç, i cili po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për trafik droge që nga arrestimi i tij në vitin 2014. Të dy u nisën nga Bali me një fluturim të Qatar Airways drejt Londrës, me ndalesë në Doha, konfirmoi ministria indoneziane e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Zyrtari i Nyoman Gede Surya Mataram deklaroi se, në bazë të marrëveshjes me qeverinë britanike, “të dy do të vazhdojnë të jenë subjekt i vendimeve ligjore të Mbretërisë së Bashkuar, duke respektuar njëkohësisht vendimin tonë”.
Të dy të dënuarit raportohen të jenë me probleme të rënda shëndetësore. Ministri Yusril Ihza Mahendra ka deklaruar se Sandiford është “e sëmurë rëndë”, ndërsa Shahabadi vuan “nga sëmundje të rënda fizike dhe mendore”. Matthew Downing, zëvendësambasadori britanik në Indonezi, tha se prioritet pas mbërritjes së tyre në Britani do të jetë gjendja shëndetësore dhe trajtimi rehabilitues.
Sipas KontraS, deri në gusht të këtij viti Indonezia kishte rreth 600 të dënuar me vdekje, përfshirë rreth 90 të huaj. Ekzekutimi i fundit u krye në vitin 2016. Administrata e presidentit Prabowo Subianto ka riatdhesuar disa të dënuar të njohur që prej marrjes së detyrës në vitin 2024, përfshirë edhe pesë anëtarët e fundit të grupit të njohur “Bali Nine”.




