Kosova
Analiza e REL/ Balotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës
Balotazhi i 9 nëntorit në 18 komuna të Kosovës shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal dhe tregues i dinamikave të ardhshme politike në skenën qendrore. Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica e Jugut vlerësohen si garat më të forta, ku përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të riformësojnë hartën politike lokale.
Rezultatet e balotazhit pritet të ndikojnë edhe në balancat kombëtare të pushtetit, duke përcaktuar nëse LVV-ja do të zgjerojë ndikimin e saj apo nëse PDK-ja e LDK-ja do të ruajnë bastionet tradicionale. Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e 9 nëntorit. Ne këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore. Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Prishtina dhe Prizreni – garat më të forta
Kryeqyteti mbetet arena kryesore e përplasjes politike. Për më shumë se një dekadë, Prishtina ishte simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Këtë herë, balotazhi zhvillohet mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV), me një diferencë minimale në rundin e parë – vetëm 0.5 për qind. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kandidatët – shkon përtej kandidatëve dhe lidhet me luftën e partive për pushtetin e tyre në kryeqytet, ndërtimin e bazës zgjedhore dhe krijimin e një bastioni politik në këtë komunë”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG). Prishtina, si komuna më e madhe e vendit, ka rëndësi ekonomike dhe politike, duke e kthyer fitoren aty në avantazh strategjik për çdo parti. Kjo, sipas Eminit, bën që fitorja në kryeqytet të përkthehet “në pushtet dhe ndikim në nivel nacional”.
Pas Prishtinës, gara më e vëmendshme zhvillohet në Prizren, ku përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Artan Abrashi nga LVV-ja. Megjithëse Prizreni është komuna e dytë për nga rëndësia, sipas Eminit, koalicioni lokal mes LDK-së dhe PDK-së, si dhe epërsia e Totajt në rundin e parë, kanë bërë që Vetëvendosje “të mos investojë aktivisht në këtë garë, duke e kanalizuar energjinë në komunat ku ka më shumë gjasa”.
Mitrovica e Jugut – sfidë për bastionin tradicional
Një garë tjetër e rëndësishme, sipas Eminit, do të zhvillohet në Mitrovicën e Jugut, mes Faton Pecit të LVV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së. Emini e konsideron këtë betejë si veçanërisht të rëndësishme për Vetëvendosjen dhe për udhëheqësin e saj, Albin Kurti. “… sepse Kurti e ka zhvilluar garën nacionale me ndryshimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, si narrativ. Angazhimi i kandidatit më të fortë të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo (Faton Peci) tregon rëndësinë që kjo garë ka për partinë. Kjo sfidon direkt bastionin e PDK-së – gjë që është shumë domethënëse”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Roli i profilit të kandidatëve
Në zgjedhjet lokale, roli i individit shpesh rezulton vendimtar.
Sipas Eminit, rasti i Ramiz Lladrovcit në Drenas e ilustron qartë këtë. PDK-ja, pjesë e së cilës ishte Lladrovci, vendosi për kandidat në garë Petrit Hajdarin. Lladrovci, i cili deri atëherë ishte kryetar, i hyri garës me një nismë qytetare dhe e fitoi atë që në rundin e parë. “Kjo tregon qartë se kandidatët kanë rëndësi të madhe”, thotë Emini. Një shembull tjetër, sipas saj, është edhe Përparim Rama në Prishtinë.
“Rasti i Përparim Ramës tregon ndikimin e një fytyre të re që vjen në një parti si LDK-ja nga jashtë Kosovës. Përkundër të gjitha pritshmërive, kandidati fitoi, dhe profili i tij kishte rëndësi jo vetëm për shkak të vetë figurës, por edhe për mbështetjen e partisë. Pra, kombinim i faktorëve”, shpjegon Emini.
Hartë e re politike në horizont?
Rezultatet e balotazhit pritet të ndikojnë ndjeshëm në hartën politike të Kosovës. Në shumë komuna, diferencat janë minimale, dhe çdo koalicion lokal mund të përmbysë rezultatin. Në Prishtinë, për shembull, vendimi i kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, për qëndrimin neutral apo përkrahjen eventuale të njërës palë, mund të përcaktojë fituesin. “Koalicioni eventual mund ta ndryshojë situatën në terren”, thotë Emini. Ajo shton se Vetëvendosja po përpiqet ta zgjerojë ndikimin lokal, veçanërisht në zonat ku më parë nuk kishte bazë të fortë. LVV-ja garon në balotazh në 12 komuna – në dy prej tyre si e para, në dhjetë si e dyta. Në zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti kishte fituar vetëm në katër komuna.
“Shembull është targetimi dhe investimi në Mitrovicën e Jugut, duke tentuar për të zvogëluar PDK-në në një nga bastionet e saj. Nëse (LVV-ja) ka një fitore eventuale edhe në Vushtrri, atëherë e sfidon edhe më shumë (PDK-në)”, thekson Emini. PDK-ja dhe LDK-ja, në anën tjetër, janë përqendruar në mbajtjen e komunave që i konsiderojnë bastione tradicionale. “Këto parti janë duke luajtur në mbrojtje, duke u përpjekur t’i mbajnë bastionet e tyre. Ndërsa Vetëvendosje po përdor një lojë më strategjike dhe të fuqishme, me përfshirje aktive edhe të kryeministrit në detyrë (Albin Kurti)”, thotë Emini.
Zgjedhjet lokale si pasqyrë e skenës qendrore
Historikisht, votuesit në Kosovë kanë bërë dallime midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore. Megjithatë, Emini vëren se lidhjet midis sjelljes lokale dhe strategjive nacionale po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Vetëvendosje, sipas saj, po punon me qëllim për të zgjeruar kontrollin komunal, ndërsa partitë e tjera po përpiqen t’i ruajnë territoret e tyre politike.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së e ilustron mirë këtë dinamikë. Ai pasqyron një model tashmë të njohur në politikën kosovare, ku Vetëvendosje dhe disa parti më të vogla përballen në thelb me një front të bashkuar të elitës së vjetër politike kundër tyre – me disa përjashtime të vogla në nivel lokal”, thotë Emini. Edhe pse mbetet e paqartë nëse këto marrëveshje lokale do të çojnë në koalicione të reja në nivel qendror, Emini nuk e përjashton mundësinë. “Prirja e PDK-së dhe LDK-së për të bashkëpunuar në ruajtjen e pozitave të tyre, mund të sinjalizojë edhe mundësi të bashkëpunimeve të ngjashme në skenën qendrore”, thotë analistja.
Polarizimi politik dhe pritjet për të ardhmen
Zgjedhjet e këtij viti, si ato parlamentare apo lokale, kanë dëshmuar polarizimin e skenës politike në Kosovë. Vetëvendosja ka ruajtur narrativin “ne kundër të gjithëve”, ndërsa partitë tradicionale po përpiqen t’i mbrojnë pozitat ekzistuese, thotë Emini.
Sipas saj, rezultati i balotazhit do të jetë një tregues i rëndësishëm për të gjitha partitë, për të kuptuar ku qëndrojnë në raport me elektoratin dhe si duhet t’i përshtatin strategjitë për zgjedhjet nacionale – nëse mbahen sërish. Në këtë kohë, LVV-ja po përpiqet ta formojë Qeverinë e re me Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër, ndërsa partitë e tjera kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Ndaj, edhe balotazhi merr dimension të dyfishtë: lokal në dukje, por thellësisht politik në ndikim./ REL
Kosova
Ndërron jetë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci
Ka ndrruar jetë Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në politikë dhe shkencë.
“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”, shkroi e para e shtetit në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.
“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.
Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.
Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006.
Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.
Kush ishte Nexhat Daci?
Nexhat Danci u lind më 26 korrik në Tënoc më 1944, ku përfundoi shkollimin fillor. Atë të mesëm e kreu në Leskoc, ndërkaq studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e kimisë) në Beograd më 1966. U doktorua më 1973 në Universitetin e Zagrebit, ndërkaq studimet e posdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit më 1974.v
Pas përfundimit të magjistraturës, më 1968 ai nisi punën si asistent në Fakultetin Filozofisë në Katedrën e Kimisë. Më 1971 vazhdoi punën si ligjërues e më pas edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë punës akademike ai ka marrë pjesë në disa studime shkencore, kongrese e konferenca në mbarë botën. Ka qenë anëtar i Shoqatës Kimike amerikane që nga viti 1985 dhe i disa institucioneve të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, pjesë e Akademisë së Shkencave të Kosovës u bë më 1993 .
Kosova
Zgjedhjet në Kosovë, minus 52 mijë vota, si shpjegohet rënia e LDK-së?
Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.
Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”
Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.
Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.
LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.
“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.
Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.
“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.
Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.
Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.
“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.
Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.
“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.
Ku shkuan votuesit e LDK-së?
Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.
Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.
Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.
“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.
Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.
“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.
E ardhmja e mundshme e LDK-së
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.
Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.
Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.
“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.
Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.
Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.
“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.
Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë./REL
Kosova
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
