Ish-ushtaraku Altin Celami, është arrestuar sërish nga policia për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri.
Policia thotë se nga operacioni “Gun Expert”, u arrestua në flagrancë shtetasi Altin Celami, 46-vjeç ish ushtarak, i cili përdorte taksinë e tij për të shpëtuar nga kontrollet policore, ndërsa iu sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, drogë kokainë dhe pjesë armësh.
Altin Celami u arrestua edhe më 4 tetor të vitit 2022 së bashku me 14 persona të tjerë, të cilët operonin si një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë.
“Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme nga Strukturat e DVP Tiranë, ndaj armëmbajtjes pa leje. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Gun Expert”, i ndjekur me metoda speciale hetimi.
Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh. Furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, vihet në pranga 46-vjeçari që përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore. 46-vjeçari i implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal.
Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, finalizoi operacionin policor të koduar “Gun Expert”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, teksa drejtonte automjetin tip taksi.
Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve“-njofton policia.




