Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, ka komentuar fitoren e Brunilda Mersinit në zgjedhjet e pjesshme vendore, duke e cilësuar një moment historik për qytetin dhe një fitore të padiskutueshme për Partinë Socialiste.
Në këtë atmosferë festive, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, dha një mesazh të qartë për rëndësinë e këtij momenti duke u shprehur entuziast për faktin se për herë të parë në historinë e bashkisë së Vlorës, drejtimin e merr një grua.
“Jam shumë i lumtur sepse kemi për herë të parë në Vlorë një kryetare grua bashkie. Është një grua për të cilën unë jam entuziast për atë që do të ndodhë më pas, dhe ju do të befasoheni se çfarë do të ndodhë me Bashkinë e Vlorës, duke filluar që nesër.”
Ai shtoi se qytetarët do të kenë një bashkëbisedim të vazhdueshëm me drejtuesen e re të bashkisë:
“Do të jemi këtu në një bashkëbisedim të bukur dhe jo të shkurtër për qytetin e Vlorës.”
Çuçi komentoi edhe mbi pjesëmarrjen relativisht të ulët në këto zgjedhje, duke e lidhur atë me natyrën e procesit.
“Përqindja e pjesëmarrjes tregoi se ishin socialistët që kishin dalë për të votuar. Pjesëmarrja e ulët lidhet me shumë fenomene, për vetë faktin se ishin zgjedhje të pjesshme, që nuk kishin zgjedhje për këshilltarët.”
Ai theksoi se mungesa e një gare të fortë ndikoi në mobilizimin e votuesve.
“Ishin zgjedhje që nuk kishin kundërshtar të fortë, dhe kur je pa kundërshtar, stadiumi mbetet bosh. Kjo u vu re edhe në zgjedhjet për bashkitë e tjera. Pati një rënie shumë të ndjeshme të pjesëmarrësve.”
Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është shqetësuese për të duke u shprehur se, “Mua nuk më shqetëson kjo gjë. Përkundrazi, jam shumë i kënaqur me rezultatin dhe me mesazhin që qytetarët e Vlorës dhanë.”
Procesi i numërimit në Bashkine e Vlores është përmbyllur, duke konfirmuar fitoren e thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Kandidatja Brunilda Mersini ka siguruar 15,573 vota, që përfaqësojnë rreth 78% të totalit, duke e bërë rezultatin të pakontestueshëm.
Me këtë rezultat, Mersini është zyrtarisht kryetarja e re e Bashkisë së Vlorës, duke shënuar një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti.
Dy kandidatët e tjerë në garë, Dionis Sota (i pavarur, i mbështetur nga Partia Demokratike) dhe Gjergji Nika (i pavarur), kanë marrë përkatësisht 233 vota (11.6%) dhe 1,975 vota (9.8%), duke rivalizuar më shumë me njëri-tjetrin sesa me kandidaten fituese.




