Një anije që transportonte rreth 300 emigrantë nga Mijanmari është përmbysur në Oqeanin Indian, afër kufirit mes Tajlandës dhe Malajzisë.Autoritetet konfirmuan sot se është gjetur trupi i një gruaje në det, 10 persona janë shpëtuar dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Koha dhe vendndodhja e saktë e përmbysjes ende nuk dihen me siguri.
Një zyrtar malajzian deklaroi se anija ka të ngjarë të jetë përmbysur në ujërat tajlandeze, duke paralajmëruar se sindikatat ndërkufitare po bëhen gjithnjë e më aktive në shfrytëzimin e emigrantëve përmes rrugëve detare të rrezikshme.
Drejtuesit e policisë thanë se disa nga të shpëtuarit ishin myslimanë Rohingya – pakicë që jeton kryesisht në Mijanmar dhe që ka pësuar persekutim për dekada të tëra.
Admirali Romli Mustafa nga agjencia malajziane e zbatimit të ligjit detar tha se hetimet paraprake tregojnë se anija ishte nisur nga qyteti Buthidaung në shtetin Rakhine të Mjanmarit dhe u përmbys tri ditë më parë.
Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi të shtunën, pasi disa të mbijetuar u gjetën duke lundruar në ujërat pranë ishullit turistik Langkaëi në veri të Malajzisë.
Trupi i gruas, e besuar të jetë nga Mjanmari, u gjet më vonë. Të paktën 10 persona u shpëtuan, përfshirë një burrë nga Bangladeshi dhe disa të tjerë nga Mijanmari.
“Ekziston mundësia që të gjenden më shumë viktima teksa operacioni vazhdon,” tha Romli në një deklaratë për mediat.
Shefi i policisë së shtetit malajzian, Adzli Abu Shah, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Bernama se anija ka të ngjarë të jetë fundosur në ujërat tajlandeze, para se viktimat të rrjedhin drejt Malajzisë.
Në janar, autoritetet malajziane kthyen mbrapsht dy anije me gati 300 persona, të dyshuar si refugjatë myslimanë Rohingya, që përpiqeshin të hynin ilegalisht në vend.
Malajzia është destinacion popullor për Rohingya-t për shkak të popullsisë dominuese malajze-myslimane. Vendi i ka pranuar ata në të kaluarën për arsye humanitare, por tani po përpiqet të kufizojë numrat, nga frika e një fluksi masiv me anije.
Aktualisht, rreth 117,670 refugjatë Rohingya janë të regjistruar pranë Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët në Malajzi – rreth 59% e totalit të popullsisë refugjate në vend.




