Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi mesditën e së enjtes një takim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në selinë e PD.
Burimet bëjnë me dije se gjatë takimit u diskutua koordinimi i opozitës për aksionin e planifikuar për ditën e hënë në orën 18:00.
Mësohet se është biseduar mbi rakordimin e protestës mbi peshën që do të ketë secila forcë politike dhe mënyrën e organizimit edhe sa i përket folësve .
Veç deputetëve duket se do të kenë pjesën e tyre edhe qytetarët, megjithatë opozita është treguar hermetike sa i përket detajeve, të cilat ajo i quan rezistencë.
Opozita do të nisë atë ditë “Parlamentin qytetar” përpara Kryeministrisë, ku do të kërkojë dorëheqjen e zëvendëskryeministres Balluku, pas faktit që ajo është shpallur e pandehur nga SPAK.
Takimi Blushi-Berisha shihet si një hap për të harmonizuar veprimet dhe strategjinë e opozitës për protestën e ardhshme.




