Albania
Bosi shqiptar i drogës u vodhi disa ton hashash, ish-komandot e Ushtrisë Franceze e marrin peng: Ndërhyn Europol
Gjashtë shtetas të huaj janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar të koordinuar nga Europol, në qendër të të cilit ka qenë pengmarrja e kreut të një grupi shqiptar që merrej me trafikimin e drogës.
Operacioni është zhvilluar dje, më 12 nëntor, dhe Europol mbështeti një hetim të udhëhequr nga Gjermania që synonte një grup mercenarësh të punësuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer udhëheqësin e një bande rivale të trafikimit të drogës.
Operacioni përfshinte autoritete ligjzbatuese nga Danimarka, Franca, Letonia dhe Mbretëria e Bashkuar. Aksioni i koordinuar u përqendrua te shtetasit letonezë, disa prej të cilëve me përvojë në Legjionin e Huaj Francez.
Këta individë të trajnuar në nivel të lartë ishin të pajisur me pajisje profesionale dhe ishin aktivë në emër të një grupi të krimit të organizuar. Ata ishin kontraktuar për të rrëmbyer udhëheqësin e një rrjeti shqiptar të trafikut të drogës, i cili dyshohet se ka orkestruar vjedhjen e disa ton kanabis me vlerë miliona euro.
Në ditën e aksionit, katër individë u arrestuan në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, të cilët ishin arrestuar në tetor 2014 në Gjermani, janë dënuar tashmë nga gjykata.
Në ditën e aksionit, Europol dërgoi një ekspert në Nisë të Francës, për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe për të verifikuar informacionin operativ me bazat e të dhënave të Europolit, duke u ofruar pista të menjëhershme hetuesve në terren.
Ky operacion është i lidhur me fenomenin “Dhuna si Shërbim”, në të cilin autorët ofrojnë shërbimet e tyre për të kryer akte të dhunshme në emër të sindikatave të tjera kriminale. Në këtë rast të veçantë, specialistë të trajnuar në nivel të lartë punësohen nga grupet e krimit të organizuar për të kryer akte të dhunshme.
Ky modus operandi zbulohet gjithnjë e më shumë në operacione të ndryshme të lidhura me krimin e rëndë dhe të organizuar. Hetimi i aktiviteteve të autorëve nënvizon nivelin e lartë të këtij shërbimi, pasi shpesh përfshin përdorimin e ish-anëtarëve të forcave speciale.
Disa nga të dyshuarit në këtë rast janë ish-ushtarë të Legjionit të Huaj Francez. Ish-ushtarë të trajnuar në luftime, që kthehen nga fronti, mund të përdorin aftësitë e tyre për krimin e organizuar, duke paraqitur një kërcënim potencial.
Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet pas saj, Evropa mund të përballet me një numër në rritje të këtyre individëve të trajnuar mirë që angazhohen në aktivitete kriminale.
Legjioni i Huaj Francez është një forcë ushtarake elitare e Ushtrisë Franceze, e themeluar në vitin 1831, që rekruton vullnetarë nga të gjitha kombësitë për të shërbyer në Francë dhe jashtë saj. I njohur për disiplinën dhe aftësitë luftarake, Legjioni është një njësi për shërbim jashtë shtetit dhe ka një histori pjesëmarrjeje në konflikte të shumta franceze.
Albania
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht
Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.
Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.
“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.
Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.
Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.
Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.
Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.
Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH
Albania
Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë
Një 50-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij e më pas veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Orikum të Vlorës mesditën e 2 janarit.
Sose Xhebroj mësohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se çifti kanë pasur probleme me njëri tjetrin dhe kishin shkuar drejt divorcit, teksa janë prindër të dy djemve të rritur. Policia po heton ngjarjen.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.
Albania
Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër
Eshtë zbardhur ngjarja e rëndë që ndodhi në 29 dhjetor në lagjen Manush Alimani në Shkodër, ku si pasojë e shpërthimit në boksin elektrik të pallatit ku banonte humbi jetën 61-vjeçari Hysni Ymeri.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”. Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
