Presidentja Vjosa Osmani kritikoi Bashkimin Evropian në një intervistë për ‘Politico’, duke thënë se ‘Brukseli zyrtar duket se nuk sheh progresin që ka bërë Kosova’.
“Siç e dini, njerëzit e Kosovës nuk kanë parë nga ndonjë anë tjetër, kanë parë vetëm këtë rrugë, rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova nuk flirton me vende të tjera keqdashëse si Rusia, Kina e Irani, me trekëndëshin e së keqes. Por në të njëjtën kohë, nuk e ndiejmë që kjo qasje pro evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar”, tha Vjosa Osmani.
Sipas Osmanit pavarësisht reformave të ndërmarra rruga drejt integrimit evropian mbetet e bllokuar.
“Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Por unë ende nuk e shoh të ndodhë”, shtoi Osmani.
Osmani theksoi se aplikimipër të marrë statusin e vendit kandidat vijon të qëndroj në sirtarët e unionit.
“Ne nuk po kërkojmë bamirësi, nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër, po kërkojmë respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ne ndërmarrim. Por realiteti është se tani për tani, aplikimi ynë as nuk është shqyrtuar. Ne aplikuan në dhjetor 2022, dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025. Ai ndodhet diku në sirtarët e Bashkimit Evropian, por nuk po ecën përpara”, tha ajo.
Megjithatë presidentja e Kosovës thotë se anëtarësimin në Nato e sheh si më të rëndësishëm.




