Moti gjatë ditëve në vijim pritet të përkeqësohet ku parashikohen reshje intensive në të gjithë vendin, por edhe era të forta në vendet bregdetare. Autoritetet detare kanë njoftuar masa të forta kufizuese për lundrimin në gjirin e Vlorës, pas parashikimeve për përkeqësim të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike gjatë datave 16–19 nëntor 2025.
Duke filluar nga ora 23:00 e datës 16 nëntor, në Vlorë priten erëra të forta në drejtimin jug–juglindje me shpejtësi 15–20 m/s dhe dallgë 1.5 deri 2.5 metra.
Për këtë arsye autoritetet kanë ndaluar lundrimin në det të mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit, brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, deri më 19.11.2025, ora 08:00. Përmirësimi i kushteve detare për mjetet e vogla pritet pas orës 08:00 të datës 19 nëntor.
Gjithashtu u kërkohet drejtuesve të mjeteve lundruese të marrin masa të shtuara sigurie dhe të konsiderojnë me kujdes paralajmërimet për mot të keq.
Lidhur me anijet e transportit ndërkombëtar, lundrimi i tyre do të vijojnë operimin normalisht.
Gjithashtu parashikohen reshje të dendura në basenin e Drinit gjatë 17–23 nëntorit, kryesisht në zonat Theth–Valbonë dhe Shkodër–Pukë, me kulme më 18–19 dhe 22 nëntor.
Sasitë e pritshme të reshjeve janë për Fierzën 150–200 mm shi dhe në Koman – Vau i Dejës deri në 300 mm
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, më 17 Nëntor 2025, priten reshje mesatare deri intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta. Intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites.
Ndërsa më 18 -19 nëntor, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin më intensitet të lartë.
“Më 18 nëntor pritet që në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Në Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.
Më 19 Nëntor 2025, parashikohen reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet e tjerë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Më 20 nëntor, pritet ulje e intensitetit të reshje, ndërsa në zonat malore do të ketë reshje dëbore dhe ngrica
“Në zonat mbi 400 m lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor” thotë Ministria e Mbrojtjes.




