Absolutisht asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar ndaj protestuesve. Këtë përgjigje u dha ish-kryeministri Sali Berisha gazetarëve pas daljes nga SPAK, ku u pyet për 21 janarin. Në një deklaratë për mediat Berisha tha se nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Sipas tij garda funksionon me ligj dhe jo me urdhër.
“Të shtënat janë jo nga brenda, por nga vendrojet e gardës. Garda ka një ligj i cili autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt apo të qëllojë në ajër, te këmbët dhe kur përsëritet ta eliminojë rrezikun. Ky ligj është votuar nga PS, jo nga ne. Garda nuk funksionon më urdhër, por me ligj. Garda dhe çdo vendroje e armatosur funksionon me ligj, e qëllove duhet të qëllojë në ajër, në këmbë”.
Në cilësinë e kryeministrit të asaj kohe, Berisha tha se ai ishte rrethuar dhe kërkohej largimi i tij.
“Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që dritaret iu gjuajtën me gurë, u kërkua të përmbysej pushteti i tij iu kërkua të largohet ose do kalohet mbi kufoma dhe që kishte dalë nga një palë zgjedhje që kishin plotësuar standardet e OSBE ODIHR, por Rama donte t’i përmbyste”.




