Cristiano Ronaldo u shfaq të martën në Shtëpinë e Bardhë, ku mori pjesë në një darkë zyrtare të organizuar nga Presidenti amerikan Donald Trump në nder të princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman. Ylli portugez i futbollit ishte i shoqëruar nga e fejuara e tij, Georgina Rodriguez, në eventin e mbushur me personalitete të politikës, sportit dhe biznesit botëror.
Gjatë mbrëmjes, Ronaldo realizoi një selfie që u bë virale, ku shfaqen personalitete të njohura si Elon Musk, investitori David Sacks, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, sekretari amerikan i Tregtisë Hoëard Lutnick dhe vetë Georgina Rodriguez.
Donald Trump, në fjalën e mbajtur gjatë darkës, përshëndeti Cristiano Ronaldon dhe e vlerësoi si një nga personalitetet më të mëdha sportive në botë. Ai zbuloi se djali i tij, Barron Trump, u takua me futbollistin dhe se kjo e kishte emocionuar shumë.
Kjo ishte hera e parë që portugezi shfaqej publikisht në SHBA që prej vitit 2017, kur u akuzua nga një shtetase amerikane për dhunim, akuzë të cilën futbollisti e ka mohuar vazhdimisht dhe që më vonë u hodh poshtë nga një gjykatë amerikane në vitin 2022.
Ronaldo është pjesë e delegacionit saudit dhe aktualisht luan për Al-Nassr në kampionatin e Arabisë Saudite. Ai shpreson të luajë në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe që, sipas asaj që ka deklaruar vetë, do të jetë e fundit për të.




