Një rekord historik u shënua mbrëmjen e djeshme në Sotheby’s, ku vepra e Gustav Klimtit “Portrait of Elisabeth Lederer” u shit për 236.4 milionë dollarë, duke u bërë vija moderne më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në një ankand. Shifra marramendëse u arrit pas një gare të zjarrtë 20-minutëshe mes blerësve, që u shoqërua me habi dhe duartrokitje nga salla.
Ky çmim rekord e vendos veprën edhe si shitja më e shtrenjtë në historinë globale të Sotheby’s, një moment kyç për shtëpinë ankandore që mbajti mbrëmë shitjen e parë në selinë e saj të re në SHBA, në New York.
Portreti, i realizuar mes viteve 1914–1916, konsiderohet një nga punët e fundit madhore të Klimtit dhe përfaqëson kulmin e stilit të tij dekorativ, simbolist dhe sensual që e ka bërë artistin vjenez një nga emrat më të kërkuar në tregun e artit.
Ekspertët vlerësojnë se kjo shitje jo vetëm forcon statusin e Klimtit si një nga mjeshtrit më të çmuar të shekullit XX, por gjithashtu tregon fuqinë e vazhdueshme të tregut botëror të artit të nivelit të lartë, i cili pavarësisht pasigurive ekonomike, vazhdon të thyejë rekorde.
Shitja e “Portrait of Elisabeth Lederer” pritet të ndikojë çmimet e ardhshme të veprave të Klimtit, ndërsa Sotheby’s e cilësoi eventin një “moment historik” për historinë e saj 280-vjeçare.




