I dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, është shprehur kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar ndaj Serbisë.
Zëdhënësi i tij, Dick Custin tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, por pa reciprocitet.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë. Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.