Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përshëndetur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për hapjen e qendrave të votimit jashtë objekteve diplomatike të Kosovës.
Në një deklaratë për media, LDK vlerëson se ky vendim konfirmon se “përpjekjet për ta zhvendosur procesin e votimit në hapësira private, depo, restaurante, klube apo ambiente të tjera joadekuate kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me parimet e integritetit zgjedhor”.
Partia thekson se vendimi i KQZ-së është marrë “nën presionin e pushtetit” dhe se kjo ka treguar “mungesë pjekurie politike dhe arrogancë institucionale”.
Sipas LDK-së, përpjekjet për të krijuar alternativa për votimin jashtë përfaqësive diplomatike kanë tentuar që shteti të trajtohet si fushë eksperimentesh të papërgjegjshme, ku rregullat ndryshohen sipas tekeve të pushtetit.
“LDK rithekson se demokracia nuk ndërtohet nëpër depo e kafene, e as mbrohet interesi i Mërgatës me qasje improvizuese. Demokracia kërkon përgjegjësi, transparencë, trajtim të barabartë të qytetarëve dhe respekt për institucionet dhe ligjin. Çdo devijim nga këto parime e ul procesin zgjedhor në amatorizëm dhe dëmton besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, thuhet në njoftim.
Partia paralajmëron se “çdo tentim për ta anashkaluar ligjin në funksion të interesave partiake do të përballet me reagimin institucional dhe politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës.”
LDK gjithashtu shpreh mirënjohje për mërgatën, duke theksuar se “pavarësisht pengesave dhe paqartësive të krijuara nga vendimmarrje të tilla, mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe proceseve demokratike.”
LDK premton se do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e tyre për të votuar në kushte të sigurta, të rregullta dhe të barabarta, në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
Në fund, LDK kujton se LVV që ka propozuar hapjen e qendrave të votimit në ambiente private më parë kishte tentuar të rikthente votimin e mërgatës “me email, një proces i pambrojtur, lehtësisht i manipulueshëm dhe i papranueshëm për çdo shtet serioz.”
Sipas LDK-së, këto tentativa “zbulojnë qartë synimin e tyre: krijimin e mekanizmave jotransparentë për të manipuluar procesin zgjedhor”.




