Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj asaj që e cilëson si amnisti fiskale të maskuar nga qeveria, duke e përshkruar si një rrezik të menjëhershëm për ekonominë dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në një video postuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se gjatë javës së kaluar ka informuar zyrtarisht Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian për pasojat që sjell ky proces, i cili sipas saj shkel parimet kushtetuese dhe cenon barazinë para ligjit të bizneseve që operojnë ndershmërisht në vend. Ajo deklaroi se PD ka dërguat një letër drejtuar Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian.
Sipas deputetes demokrate, amnistia hap kanale të reja për pastrimin e parave, veçanërisht për subjekte të paidentifikuara dhe të pandershme, duke e bërë sektorin e ndërtimit edhe më të ekspozuar ndaj parave informale. “Ky sektor është kthyer në një gangrenë për ekonominë shqiptare dhe amnistia vetëm sa e thellon këtë problem”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se prej javësh i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave transparencë për skemën e ashtuquajtur “paqe fiskale”, duke kërkuar publikimin e listës së përfituesve. Tabaku kërkon që qytetarët dhe bizneset të dinë nëse mes tyre ka kompani me borxhe fiskale, përfituese koncesionesh, tenderash apo PPP-ve.
“Transparenca është çelësi. Nëse qeveria këmbëngul të ecë përpara me këtë projekt, duhet të garantojë llogaridhënie dhe kontroll”, deklaroi Tabaku.
Ajo kujtoi se Shqipëria ka detyrime të qarta në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe përgjegjësi të forta për monitorimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e burimeve ilegale që hyjnë në ekonomi. Sipas saj, amnistia vendos pikëpyetje të mëdha për çdo operacion biznesi dhe cenon sigurinë e gjithë klimës së investimeve.
Në fund, Tabaku theksoi se këto shqetësime janë përcjellë tashmë zyrtarisht në Parlamentin Europian dhe në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, ndërsa opozita do të vazhdojë të ngrejë zërin për rreziqet ekonomike, juridike dhe strategjike që sjell amnistia fiskale.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë ekonominë e vendit dhe interesin publik, duke kundërshtuar çdo projekt që hap rrugë pastrimit të parave dhe dëmton të ardhmen europiane të Shqipërisë”, deklaroi Tabaku.




