Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pasi e uroi për marrjen e detyrës së lartë të kryeministrit dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, të popullit të saj dhe të ardhmes sonë europiane, Meta i tha kryeministrit Kurti se “qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.
Kreu i Shtetit vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera e vëllazërore.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë partneritetin strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, – tha Presidenti Meta.
Kreu i shtetit dhe kryeministri Kurti diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese në BE, si dhe zhvillimeve në rajon.
Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në këtë kuadër, – tha Meta, – janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
“Është e rëndësishme, – vijoi ai, – që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”.
Presidenti Meta shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës./ATSH/