Një futbollist me emër, i cili luan edhe për Kombëtaren e tij, është arrestuar në qendër të Londrës gjatë orëve të para të së shtunës, pasi dyshohet se është përfshirë në një incident dhune. Lojtari, i cili nuk mund të identifikohet për arsye ligjore, u kap nga policia pak para orës 1 të mëngjesit, në zonën e West End.
Sipas Policisë Metropolitane, forcat policore mbërritën në vendngjarje pas raportimeve për një sulm.
Futbollisti 29-vjeçar u arrestua në vend për dy akuza për sulm dhe një për përleshje. Viktima u transportua menjëherë në spital për trajtim, por fatmirësisht plagët e tij nuk konsiderohen kërcënuese për jetën apo me pasoja të përhershme.
Lojtari është liruar me kusht ndërsa hetimet vijojnë. Autoritetet kanë nisur një proces të plotë hetimor për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Një zëdhënëse e Met Police deklaroi për mediat: “Policia u thirr në Wardour Street, W1, në orën 00:47 të së shtunës, më 6 dhjetor, pas raportimeve për një sulm. Viktima u dërgua në spital, ndërsa i dyshuari u arrestua në vendngjarje për dy akuza sulmi dhe një për përleshje. Ai është liruar me kusht dhe hetimet vazhdojnë”.



