Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, një datë që përkujton 35-vjetorin e protestave studentore që çuan në rrëzimin e regjimit komunist.
Që prej vitit 2009, kjo ditë njihet zyrtarisht si festë kombëtare, në nderim të studentëve të dhjetorit 1990 dhe të gjithë rinisë shqiptare, të cilët më 8 dhjetor u bënë zëri dhe forca e ndryshimit. Studentët dhe pedagogët e Universiteteve të Tiranës, së bashku me banorët e Qytetit Studenti, morën nismën e protestave paqësore që hapën rrugën drejt pluralizmit politik, rrëzimit të komunizmit dhe lindjes së demokracisë.
Me thirrjen e tyre të fuqishme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata artikuluan aspiratën për vlera perëndimore, shtet të së drejtës, integrim europian dhe një shoqëri të lirë e demokratike.
Protesta e tyre shënoi fundin e epokës së izolimit dhe sundimit ideologjik, duke hapur perspektivën e një ekonomie të tregut dhe të një shoqërie të hapur.
Më 8 dhjetor 2009, Kuvendi i Shqipërisë e shpalli këtë datë si Ditën Kombëtare të Rinisë, për të nderuar lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila u bë nisja e shembjes së regjimit komunist dhe fillimi i një epoke të re për vendin.




