Shqipëria po mbyll një tjetër vit nën hijen e një krize të thelluar demografike, e cila pasqyrohet qartë në renditjen globale të lindjeve.
Sipas të dhënave nga Our World in Data, me vetëm 27,433 lindje të parashikuara në vitin 2025, vendi renditet i 147-ti në botë, duke u pozicionuar gjithsesi më mirë se shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në rajon, tabloja mbetet po aq sfiduese, megjithëse me variacione të dukshme: Greqia, edhe pse prej vitesh përballet me plakje të popullsisë, regjistroi 68,148 lindje dhe renditet në vendin 120; Serbia, me 58,142 lindje, ngjitet në renditjen 128, ndërsa Kroacia, me 30,995 lindje, pozicionohet në vendin 143, pak përpara Shqipërisë.
Më tej, Maqedonia e Veriut me 16,313 lindje zë vendin 158, dhe Kosova, dikur përjashtim rajonal për normat më të larta të lindshmërisë, sot renditet e 154-ta me vetëm 19,558 lindje. Në fund të rajonit qëndron Mali i Zi, në vendin 171, me vetëm 6,969 lindje, duke reflektuar një rënie të ndjeshme të natalitetit në një vend me popullsi të vogël, por që shfaq të njëjtat dinamika negative si fqinjët.
Në skenën botërore, pamja është krejtësisht tjetër dhe dëshmon zhvendosjen e qendrës demografike drejt Azisë dhe Afrikës. India pritet të kryesojë me 23.1 milionë lindje në vitin 2025, duke përfaqësuar 17% të lindjeve globale, më shumë se dyfishi i Kinës dhe shumëfish më tepër se gjithë Evropa, e cila do të arrijë vetëm 6.3 milionë lindje.
Nigeria do të regjistrojë rreth 7.6 milionë lindje, më shumë se e gjithë Evropa së bashku, ndërsa vendet me popullsi të mëdha si Pakistani (6.9 milionë), Republika Demokratike e Kongos (4.5 milionë), Indonezia (4.4 milionë) dhe Etiopia (4.1 milionë) forcojnë tendencën e zhvendosjes së peshës demografike drejt jugut global. Në kontrast, Kina, dikur epiqendra e lindjeve botërore, sot parashikohet të ketë “vetëm” 8.7 milionë lindje, me një mesatare fertiliteti prej rreth një fëmije për grua.
Këto ndryshime tregojnë qartë se ndërsa Europa dhe Ballkani përballen me rënie të vazhdueshme të lindshmërisë, vende si India, Nigeria dhe shtetet e Afrikës Sub-Sahariane po bëhen motorët e rinj të rritjes së popullsisë globale. Shqipëria dhe rajoni janë pjesë e një trendi më të gjerë: shoqëritë me të ardhura të mesme ose të larta po plaken shpejt, ndërsa vendet me popullsi të re vazhdojnë të udhëheqin rritjen demografike. Në këtë realitet të ri, hendeku midis dinamikave të lindjeve në Evropë dhe atyre në kontinentet e tjera pritet të thellohet edhe më shumë në dekadat që vijnë.




