Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar këtë javë Shtetet e Bashkuara se po intensifikojnë presionin ndaj vendit të tij për një arsye të vetme: kontrollin e rezervave gjigante të naftës që zotëron Venezuela.
Tensionet u rritën pasi ushtria amerikane sekuestroi një cisternë që dyshohej se transportonte naftë venezueliane në shkelje të sanksioneve të Uashingtonit. SHBA paralajmëroi se masa të ngjashme mund të ndërmerren edhe ndaj anijeve të tjera. Ky veprim pasoi goditje të mëparshme ushtarake kundër mjeteve detare venezueliane, të cilat autoritetet amerikane i etiketojnë si mjete të trafikut të drogës. Presidenti Donald Trump ka kërkuar largimin e Maduros, duke e akuzuar atë se po dërgon narkotikë dhe kriminelë drejt SHBA-ve.
Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë rreth 303 miliardë fuçi. Por prodhimi i vendit sot është vetëm një pjesë e vogël e kapacitetit të dikurshëm. Rënia e prodhimit nisi pas viteve 2000, kur regjimi i Chavez dhe më pas ai i Maduros forcuan kontrollin ndaj kompanisë shtetërore PDVSA, duke shkaktuar largimin e specialistëve.
Sanksionet amerikane, të vendosura fillimisht në vitin 2015, kanë izoluar industrinë nga investimet dhe pajisjet e nevojshme për rikuperim. Në nëntor, prodhimi ditor i Venezuelës arriti vetëm 860 mijë fuçi — më pak se 1% e konsumit global.
Aktualisht, Chevron është e vetmja kompani amerikane që vijon aktivitetin në Venezuelë, pasi ka marrë një licencë të veçantë. Ajo prodhon rreth 20% të naftës venezueliane të sotme dhe konsiderohet e pozicionuar për të përfituar nëse SHBA do të lehtësonte sanksionet.
Rafineritë amerikane, sidomos ato në Gjirin e Meksikës, kërkojnë llojin e naftës së rëndë që prodhon Venezuela, e cila është më e lirë dhe më fitimprurëse për t’u përpunuar.
Megjithatë, administrata amerikane këmbëngul se prioritet mbetet lufta kundër trafikut të drogës dhe sfidimi i legjitimitetit të regjimit Maduro.
Analistët paralajmërojnë se ringritja e industrisë së naftës së Venezuelës kërkon investime të mëdha dhe kohë të gjatë. Një raport i Wood Mackenzie vlerëson se me menaxhim të përmirësuar dhe investime të moderuara, prodhimi mund të dyfishohet brenda dy viteve, duke arritur rreth 2 milionë fuçi në ditë. Por një rritje e madhe afatgjatë do të kërkonte dhjetëra miliarda dollarë dhe të paktën një dekadë.
Investimet e huaja mund të pengohen edhe nga anëtarësimi i Venezuelës në OPEC dhe nga ulja e perspektivës globale të kërkesës për naftë në dekadat e ardhshme, teksa energjitë e rinovueshme fitojnë terren.




