Me rënien e natës në “Oxford Circus” të Londrës, një nga zonat më të shtrenjta të shopingut në botë, rrugët kthehen në vende ku flenë njerëz të pastrehë, duke vënë në pah hendekun gjithnjë e më të madh shoqëror të qytetit, raporton Anadolu.
Pas përfundimit të orëve të ngarkuara të blerjeve, persona që flenë në rrugë shtrihen nëpër hyrje dyqanesh, duke shfaqur kontrastin mes pasurisë së Londrës dhe rritjes së pastrehësisë, që shkaktohet nga qiratë e larta, mungesa e banesave të përballueshme dhe kostoja e lartë e jetesës.
Pastrehësia në Angli është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, sipas një raporti të ri që paralajmëron se autoritetet lokale po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë kërkesën në rritje dhe presionet financiare.
Raporti “Homelessness Monitor England 2025” nga organizata bamirëse britanike “Crisis” zbuloi se numri i njerëzve që flenë në rrugë u rrit me 20 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 4.667 – gati dyfishi i nivelit më të ulët gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e personave që flenë në rrugë në Londër tani janë shtetas jobritanikë, duke pasqyruar rritjen e kërkesave për azil dhe përpjekjet për të zgjidhur vonesat e rasteve.
Në vitin 2024, 330 mijë familje u vlerësuan nga këshillat lokalë – autoritetet përgjegjëse për shërbimet publike si të pastreha ose në rrezik për t’u bërë të tilla, një rritje prej 4 për qind në një vit dhe 21 për qind brenda tri viteve.
Rritja në Londër ka qenë edhe më e shpejtë: 7 për qind më shumë raste të personave në rrezik dhe 27 për qind më shumë të atyre tashmë të pastrehë. Shtatëdhjetë për qind e autoriteteve lokale kanë thënë se kërkesa për shërbime të pastrehësisë është rritur.
Studimi ka gjetur rritje veçanërisht të madhe të pastrehësisë së shkaktuar nga dëbimet nga akomodimi i azilit i administruar nga Zyra e Brendshme, një rritje prej 37 për qind si dhe mes personave që largohen nga institucionet si burgjet ose spitalet, që është rritën me 22 për qind.
Numri i rasteve të lidhura me dhunën në familje gjithashtu është rritur me 14 për qind që nga viti 2021, pas hyrjes në fuqi të mbrojtjeve të reja ligjore për të mbijetuarit.
Ndërkohë, efektiviteti i sistemit për zgjidhjen e pastrehësisë është ulur. Rastet ku është siguruar strehim kanë rënë nga 47 për qind në vitin 2021 në 39 për qind në vitin 2024.
Raporti konkludoi se sistemi i pastrehësisë në Angli është “nën një presion të jashtëzakonshëm”, duke paralajmëruar se përpjekjet për parandalim po humbasin, shërbimet e mbështetjes janë të kufizuara dhe këshillat lokalë e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë strehim për ata që kanë nevojë.



