Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me anë të letrës zyrtare ka ftuar sot në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.
Kurti e ka ftuar Thaçin sot për në orën 12:00, 16:00 ose 17:30. Ia ka shtuar gjithashtu si opsion edhe mbrëmjen.
“Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet qe do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje qe te takohemi e te dakordohemi se bashku për temat e për qëndrimet tona”, thuhet mes tjerash në letër.
Fillimisht, Kurti ekskluzivisht mbrëmë në Rubikon të KTV-së e ftoi Thaçin për takim.
“Të jetë një takim kur ne i shtrojmë këto gjëra, sepse nuk mund të lejojmë që shteti i Kosovës që sulmohet aq shumë, të ketë zëra të ndryshëm. Meqenëse nuk u takuam deri tash i bëj ftesë presidentit që të takohemi për t’u dakorduar për të gjitha proceset ndërkombëtare. Fundja edhe një letër e Trumpit drejtuar presidentit Thaçi kërkon zë të unifikuar”, tha mbrëmë Kurti.